Ukrainë: Trupat e varrosur, pa organe të brendshme

Vëzhguesit e OSBE-së kanë njoftuar se në rajonin Donbas janë gjendur tri varreza. Autoritetet e republikës së vetëshpallur të Donjeckut thonë se ka trupa pa organe të brendshme.

Bota

25/09/2014 23:36

Informacione shqetësuese për ekzistimin e varrezave të fshehta në rajonin Donbas në Ukrainën lindore janë gjithnjë e më shumë kontroverse, pasi që vëzhguesit e OSBE-së kanë njoftuar se kanë gjetur tri varreza, derisa televizioni rus ka raportuar “edhe për tri tjera” dhe gjithsej dhjetë varreza masive në të cilat trupave iu mungojnë organet e brendshme.

Janë gjetur mbetjet e 10 personave, por disa media ruse kanë raportuar për “qindra” trupa, kurse njëkohësisht trupat pro-ruse dhe ushtria ukrainase akuzojnë njëra-tjetrën për këto krime.

Lideri i separatistëve të Donjeckut, Aleksandar Zaharçenko e ka shqetësuar opinionin me informacionet se në trupat e gjetur mungojnë disa organe të brendshme, për të cilët nuk është e sigurt se a u janë nxjerrë të vrarëve apo derisa viktimat ishin gjallë.

Zaharçenko ka thënë se në tri fshatra, nga të cilat është tërhequr ushtria ukrainase, janë gjetur tri varreza masive më me shumë se 40 trupa të varrosur të civilëve dhe shumë trupa të ushtarëve ukrainas.