Ukrainë lindore: Status special vetëm për tre vjet

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko deklaroi të hënën  se pika kyç e planit të tij paqësor është statusi special i krahinave Donjeck dhe Llugansk me përkufizim të qartë kohor prej tre vjetësh.

Bota

15/09/2014 23:53

Si njoftoi zyra e shtypit e presidentit ukrainas, Poroshenko në mbledhjen e shefave të grupeve parlamentare në parlament ftoi deputetët që me përgjegjësi të posaçme të sillen ndaj propozimeve të tij ligjore që kanë të bëjnë me planin paqësor për zgjidhjen e situatës në lindje të vendit, transmeton agjencia Ukrinform.

Sipas fjalëve të tij, element kyç i planit me të cilin ka hyrë në fushatën presidenciale janë çështjet e statusit special të regjioneve të caktuara të Donjeckut dhe Lluganskut, “të cilat janë elemente faktike të decentralizimit, krahas respektimit të pakusht të sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Poroshenko tha se Ukrainës i garantohen të gjitha atributet kryesore-përfshirë politikën e jashtme, sigurinë dhe politikën juridike.

Agjencia ruse e lajmeve RIA njoftoi nga Donjecku se autoritetet e republikës së vetëshpallur të Donjeckut konsiderojnë se propozimi i Poroshenkos për ta nuk “është aktual”.

“Ky është propozim-plan për Ukrainën. Për Donjeckun ligjet i nxjerr parlamenti ynë”, deklaroi “zëvendëskryeministri” i Donjeckut, Andej Purgin.

“Ka mundësi që kjo të jetë një pikë përafruese në negociatat e ardhshme, por asgjë më shumë se kaq”, shtoi ai.

Pritet që ligji i propozuar i Poroshenkos qysh nesër (të martën) të shqyrtohet në parlamentin ukrainas.