Ukraina zotohet se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Ambasadori ukrainas në Beograd, Oleksandr Aleksandroviq, ka thënë se shteti i tij nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Lajme

23/04/2019 09:55

Oleksandr Aleksandroviq, ambasadori ukrainas në Serbi, ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e shtetit të tij në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se Ukraina kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se shteti i tij do ta mbështes gjithmonë Serbinë në lidhje me çështjen e Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Ukraina gjithmonë ka mbështetur Serbinë në aspektin e Kosovës dhe kurrë nuk do ta njohë pavarësinë. Ne do ta njohim Kosovën vetëm nëse Serbia do ta bëjë atë ndonjëherë”, citohet të ketë thënë ambasadori Aleksandroviq.

Tutje ai ka thënë se edhe nëse Rusia tërhiqet nga Krimeja dhe Ukraina lindore, shteti i tij përsëri nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Edhe nëse Rusia tërhiqet nga Krimeja dhe Ukraina lindore, ne kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Ky ishte pozicioni ynë para pushtimit të Rusisë dhe do të jetë qëndrimi ynë deri në fund”, deklaroi më tutje ambasadori ukrainas, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, si në çështjen e Kosovës ashtu edhe atë të Krimesë është shkelur ligji ndërkombëtar.

“Ne do t’ju mbështesim gjithmonë për këtë çështje, ne do të dëshironim që vetëm ndonjëherë të na mbështesni ose të paktën të jeni neutral kur bëhet fjalë për çështjet që kanë të bëjnë me Ukrainën”, ka thënë Aleksandroviq.

Ambasadori Aleksandroviq kujtoi se pesë ushtarë ukrainas vdiqën në Kosovë siç tha ai, duke mbrojtur kishat serbe. /Lajmi.net/