Ukraina sulmon qytetet Lluhansk e Donjeck, rritet numri i viktimave
Së paku 22 banorë të qytetit Lluhansk në lindje të Ukrainës janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit, njofton agjencia franceze e lajmeve AFP, duke iu referuar një zyrtari të atjeshëm.

Bota
“Rajonet lindore të qytetit janë granatuar. Janë qëlluar një autobus, një shitore dhe disa objekte banesore”, deklaroi ky zyrtar rajonal.
Agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti transmeton komunikatën e këshillit të qytetit të Lluhanskut, duke raportuar se gjatw granatimit intensiv të lagjeve lindore janë vrarë shumë civilë.
Sipas kësaj komunikate, në Lluhansk tash e 12 ditë nuk ka energji elektrike, as ujë, lidhje telefonike, kurse edhe shumë shitore e banka nuk punojnë.
Raportohet po ashtu se dy civilë janë vrarë edhe në lagjen Kujbishevsk të qytetit Donjeck, përderisa Kievi njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 9 dhe janë plagosur 18 pjesëtarë të forcave të sigurisë së Ukrainës.
Forcat pro-ruse në Donjeck njoftojnë se gjatë tri ditëve të fundit në këtë qytet janë vrarë 74 persona, kurse 116 të tjerë janë plagosur.
Gjithsej, që nga 1 marsi në këtë qytet janë vrarë 839 persona, si dhe janë plagosur 1,623 të tjerë.
Forcat e sigurisë së Ukrainës janë duke bërë përpjekje për të rikthyer nën sovranitetin e saj Ukrainën lindore dhe dy qytetet më të mëdha atje, Lluhansk e Donjeck.