Ukraina përpiqet të ndalë luftimet me një plan paqeje
Shtatë ushtarë ukrainas janë vrarë të premten në luftimet e ashpra me separatistët prorusë në fshatrat Krasny Liman dhe Jampil, të rajonit Donetsk.
Bota
Po ashtu, autoritetet ukrainase kanë njoftuar se rreth 300 separatistë prorusë janë vrarë, megjithëse kjo e dhënë nuk mund të konfirmohet.
Komandanti i lartë kryengritës, Igor Strelkov, ka thënë se separatistët kanë pësuar humbje të mëdha në pajisje dhe armatim, por nuk ka pranuar të jep të dhëna për të vrarët.
Luftimet në dy rajonet ukrainase, Donetsk dhe Luhansk po bëhen derisa presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko ka shpallur sot planin për paqe, i cili parasheh një zonë neutrale të çmilitarizuar prej 10 kilometrash në kufirin me Rusinë.
Poroshenko ka paraqitur planin prej 14 pikash që është hartuar për t’i dhënë fund kryengritjes së separatistëve pro-rusë në lindje të vendit.
Plani bën thirrje për një armëpushim të njëanshëm që do t’u jap rebelëve shansin për t’u çarmatosur ose për t’u larguar nga vendi.
Qeveria e Ukrainës publikoi disa dispozita të planit, para një njoftimi zyrtar.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se një dislokim i forcave ruse përgjatë kufirit ukrainas ka qenë planifikuar më parë dhe është hartuar për të forcuar kontrollin e kufirit rus.
Ai i bëri komentet një ditë pasi NATO njoftoi se Rusia kishte rifilluar të grumbullonte trupa në kufi me Ukrainën.
Donetsk dhe Luhansk janë dy rajone Ukrainase me popullsi të përzier, që po përpiqen të shkojnë rrugës së krahinës tjetër ukrainase, Krimesë, e cila në muajin mars shpalli pavarësinë dhe iu bashkëngjit Rusisë.