Ujkani: Mbajtja e Haradinajt në Francë e pajustifikushme

UJKANI: MBAJTJA E HARADINAJT NË FRANCË E PAJUSTIFIKUESHME Analisti Emrush Ujkani, deklaroi në emisionin e mëngjesit në RTK, se mbajtja kaq gjatë e Haradinajt në Francë është e pajustifikueshme.

Lajme

03/03/2017 09:40

Ujkani deklaroi se veprimi ndaj Haradinajt është i pajustifikueshëm, kjo në fillimet e saj dhe nëse do lirohej menjëherë do të ishte normale, por tash kanë kaluar tre muaj dhe kur dihet se ai ka qenë edhe në Hagë dhe ka treguar pafajësinë e tij, nuk justifikohet.

Ai tha se ky veprim i pushtetit gjyqësor në Francë nuk është i drejtë, megjithatë ai tha se mund të jenë procedurat byrokratike të këtij shteti që nuk i ka vetëm në gjyqësor, por edhe në fusha tjera.

Ujkani tha se Haradinaj mund të ndalohet edhe në vende tjera, por megjithatë për një kohë jo shumë të gjatë do të duhej të lirohej, e jo të shtyhej kaq gjatë e pa një arsye të madhe.

Ai tha se puna dhe angazhimi i tij në Kosovë ka qenë i madh dhe nuk kanë ndodhur shumë Mitrovica tjera (ndarje). Ai tha se edhe demarkacioni edhe Asociacioni janë duke penguar ecjen përpara të shtetit dhe funksionimin e mirëfillt të tij.

Sipas tij, Haradinaj ka qenë më i zëshmi sa ju përket këtyre temave dhe nëse duan t’i kalojnë këto tema pa Haradinajn do të ishte shumë gabim.

Sa i përket demarkacionit, ai tha se kjo çështje nuk do ta penalizoj Kosovën vetëm për liberalizimin e vizave, por do zgjerohet edhe në aspekte tjera, sepse mund të dobësohet mbështetja ndërkombëtare.

Ai tha se nëse demarkacioni sillet në Kuvend dhe nuk ratifikohet, atëherë doemos duhet të shkohet në zgjedhje që t’i jepet një përgjigje gjendjes aktuale.

Ujkani komentoi edhe situatën në Maqedoni, ku tha se nëse SHBA dhe Administrata e Donald Trump nuk ka një strategji, Ballkani mund të hyjë në një katrahurë.

Sa i përket integrimit të Ballkanit në BE, Ujkani tha se në këtë mund të shihet se më optimistet për integrim janë Shqipëria dhe Kosova.

Ndërkaq sa i përket zhvillimeve në Shqipëri, ai tha se kriza në këtë vend është e pajustifikueshme dhe non sens, ku për 5 vjet të bllokohet vendi për t’u integruar në BE si pasojë e politikës.