Ujkani, e ardhmja e Palermos

Samir Ujkani po e ngroh bankinën momentalisht, por portieri kosovar është e ardhmja e Palermos. Për këtë ka siguruar presidenti i klubit italian, Maurizio Zamparini.

Sport

22/04/2014 12:20

Samir Ujkani është e ardhmja e Palermos. Kështu ka deklaruar presidenti i klubit italian, Maurizio Zamparini, i cili ka folur rreth së ardhmes së portierit kosovar.

Aktualisht, portieri vushtrrias po qëndron në bankinë, pasi portieri i parë është Stefano Sorrentino.

Por, sipas ‘bossit’ të klubit sicilian, kjo situatë do të ndryshojë shumë shpejtë, pasi Ujkani do ta ketë vendin e titullarit.

“Ujkani është një portier i shkëlqyer. Për këtë jam i bindur. Ujkani do të jetë titullar në Palermon e së ardhmes”, ka konfirmuar Zamparini për mediat italiane.

Në të kaluarën, përfaqësuesi shqiptar ishte pjesë e Anderlechtit në Belgjikë, Novarës dhe Chievos. Ai iu bashkua Përfaqësueses së Kosovës, në miqësoren historike ndaj Haitit, në muajin mars.