Ujësjellësi injoron akuzat e Ahmetit e Hoxhës për gropat

Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” nuk është duke u mërzitur për akuzat që po i bëhen nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahemti dhe zyrtarët të kësaj komune lidhur me punimet që është duke i bërë kjo kompani në rrjetin e ujit, ku si pasojë, shumë rrugë të kryeqytetit janë dëmtuar.

Lajme

07/05/2015 16:32

Zëdhënësja e “KRU Prishtina”, Arjeta e Mjeku, në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se kjo kompani nuk do të merret më akuzat e zyrtarëve komunal.

“Deklaratat e Shpend Ahmetit dhe Ylli Hoxhës, janë për ‘No Coment’, dhe ne nuk do të merremi me deklarata të tilla”, ka thënë Mjeku.

I gjetur në mesin e shumë kritikave nga qytetarët e Prishtinës, kryetari Ahmeti të enjten ka akuzuar Ujësjellësin për gjendjen e rrugëve në kryeqytet.

Ai ka thënë se këto punime janë duke u tej zgjatur dhe se durimi i qytetarëve ka humbur.

Kurse asamblisti i VV-së, Ylli Hoxha, e ka bërë përgjegjës, siç thotë ai, SHIK-un, për rrugët e prishura në lagjet kryesore të Prishtinës.

Sipas tij, ka gjashtë muaj që janë hapur kanalet nëpër rrugët e Prishtinës për t’i vendosur gypat e rinj të ujësjellësit e ende nuk janë mbuluar.

Krejt kjo, sipas tij, për të dëmtuar reputacionin e Shpend Ahmetit.

Një ndër rrugët ku gjatë punimeve është dëmtuar asfalti është ajo në lagjen “Velanija”, për të cilën Mjeku ka thënë se janë të gatshëm ta asfaltojnë që nesër atë pjesë ku ata e kanë dëmtuar, por jo edhe aq sa po kërkojnë qytetarët. (lajmi.net)