Udhëzues për përshtatje të teksteve të vjetra me kurrikulën e re

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë shumë shpejt pritet t’ua dorëzojë mësimdhënësve udhëzuesit, të cilët pritet t’i ndihmojnë mësimdhënësit për të përshtatur tekstet e vjetra me kurrikulën e re.

Lajme

04/10/2018 11:41

Por, njohës të fushës së arsimit nuk presin ndonjë efekt domethënës të këtyre dokumenteve, ngase, sipas tyre, mësimdhënësit nuk janë të informuar sa duhet me kornizën e re kurrikulare.

Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Fatmir Bytyqi, tha për Radio Kosovën se ministria ka vlerësuar se mësimdhënësit kanë nevojë për një dokument i cili do t’u ndihmojë që të përshtatin tekstet e vjetra me kurrikulën e re.

“Ministria ka ardhur në përfundim se na duhen disa udhëzues me të cilët do të udhëzohen mësimdhënësit se si  kurrikulën e re të finalizuar ta zbatojnë me tekstet e vjetra. Këta udhëzues pritet që do t’u ndihmojnë mësimdhënësve si të gjenden për përdorimin e teksteve të vjetra me kurrikulen  e re.’’

Po ashtu, Bytyqi theksoi se brenda dy javësh do të përfundojnë punëtoritë për të finalizuar udhëzuesit dhe më pas do të bëhet shpërndarja e tyre nëpër shkolla për të gjitha lëndët mësimore.

“Brenda dy javëve pritet të mbahet punëtoria e cila do të finalizojë këta udhëzues, të cilët do t’ju shpërndahen qoftë në mënyrë elektronike apo kopje të forta të gjitha drejtorive të arsimit dhe drejtoritë do t’i shpërndajnë nëpër shkolla. Faktikisht për secilën lëndë mësimore të gjithë mësimdhënësit do t’i kenë udhëzuesit se si t’i qasen kurrikulës se re me tekste të vjetra”.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti Edguar, i tha Radio Kosovës se mësimdhënësit nuk janë të informuar sa duhet rreth kornizës se re kurrikulare, dhe se këta  udhëzues nuk pritet të kenë ndonjë efekt pozitiv.

“Mungon një përkrahje thelbësore për mësimdhënësit tanë dhe një monitorim i zbatimit të kurrikulës. Për rrjedhojë kemi një improvizim në zbatimin e saj. Edhe sikur të kemi udhëzues të tillë, që supozohet së do t’u ndihmojnë mësimdhënësve, prapë dyshoj që e njëjta do të jetë e zbatueshme, pasi që mësimdhënësit në parim janë të painformuar rreth kornizës se re kurrikulare.”

Kurrikula e re tash dy vite ka filluar të zbatohet në shkollat e Kosovës, ndërsa ende po punohet me tekste të vjetra.

Konkursi për botimin e teksteve të reja është shpallur nga Ministria e Arsimit por botimi i tyre do të ndodhë vitin e ardhshëm.