Udhërrëfyesi për politikën e jashtme

Ka përfunduar Konferenca e Ambasadorëve të Kosovës, në të cilën u hartuan strategjitë për ndërkombëtarizimin e Kosovës. Ministri Enver Hoxhaj thotë se kjo konferencë do të shërbejë si udhërrëfyes për politikën e jashtme.

Lajme

29/12/2013 18:02

Është hartuar një dokument i cili përshkruan prioritetet dhe aktivitetet në politikën e jashtme të Kosovës, aspektin multilateral, sikurse anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

Ky dokument është përpiluar pas përfundimit të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila është zhvilluar më 27 dhe 28 dhjetor në Prishtinë.

Konferenca me temën “Politika e jashtme dhe multilateralizmi: Forcimi i rolit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, mblodhi ambasadorë dhe konsuj të Kosovës, si dhe Presidenten dhe Kryeministrin e vendit.

Në një komunikatë të MPJ, thuhet se gjatë dy ditëve të kësaj konference janë trajtuar çështjet kryesore sa i përket politikës së jashtme të Kosovës, temat që lidhen me punën e misioneve diplomatike të Kosovës, prioritetet, objektivat, sfidat si dhe perspektiva e zhvillimit të mëtutjeshëm të shërbimit diplomatik të Kosovës.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në përfundim të kësaj konference, ka thënë se ky dokument do të shërbejë si udhërrëfyes për politikën e jashtme.

“Përgjatë dy ditëve të Konferencës, diskutuam për shumë tema të politikës së jashtme, dhe njëherësh nxorëm përfundimet për punët dhe prioritetet që na presin në vitin 2014 dhe më tej. Dokumenti me Konkluzionet e përgjithshme të Konferencës do të shërbejë si udhërrëfyes i joni për të kanalizuar punët ndërmjet të gjithë aktorëve vendor në avancimin edhe më të madh të politikës së jashtme të Kosovës”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Siç shpjegohet në komunikatën e MPJ’së, ky dokument përbëhet nga tri pjesë kryesore.

“Fillimisht, janë listuar të arriturat e deritanishme, gjendja faktike e misioneve diplomatike të Kosovës dhe pozicioni i vendit tonë në raportet bilaterale dhe multilaterale me rajonin, Europën dhe botën”.

“Në pjesën e dytë, dokumenti reflekton të arriturat dhe evidenton punët që duhet të ndërmerren në raport me integrimet euro-atlantike, veçmas me procesin e MSA’së dhe liberalizimin e vizave”.

“Ndërsa, në pjesën e tretë dhe atë më të rëndësishme, dokumenti përshkruan prioritetet dhe aktivitetet në politikën e Jashtme të Kosovës e përqendruar kryesisht në aspektin multilateral sikurse anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, fuqizimin e imazhit të Kosovës nëpër botë dhe rritjen e ndërveprimit ndërmjet aktorëve qeveritar për ta forcuar edhe më shumë pozicionin e Kosovës jashtë”.

Në pjesën tjetër të Konferencës, në sesione të mbyllura, pjesëmarrësit kanë diskutuar për shumë tema të rëndësishme të politikës së jashtme të Kosovës, forcimin e rolit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare përmes multilateralizmit.