Udhëheqja e dialogut nga VV-ja, rrezik për veriun

Shqiptarët, për interesin e tyre dhe për hir të stabilitetit të Kosovës dhe rajonit, duhet të formojnë një koalicion të madh PDK - LDK - AAK, vlerëson analisti serb, Dushan Janjiq.

Lajme

15/09/2014 20:24

Ai ka thënë për Indeksonline se nëse Vetëvendosja e udhëheq dialogun me Serbinë, atëherë ky do të ishte një problem i madh dhe një arsyetim më shumë për serbët e veriut të Kosovës që të rikthejnë kërkesën për pavarësi para ndërkombëtareve.

Ai mendon se Lista Serbe po bën gabim të madh që në vend se të përcaktohet për njërin krah, po luan në mes të dy palëve, duke u munduar të pajtojë dy grupe të shqiptarëve.

“Kosova ka nevojë për një lider të fuqishëm, qoftë ky Thaçi apo Haradinaj, i cili do të kishte mundësi të ketë kontroll mbi grupe të ndryshme të shoqërisë, siç janë ish pjesëtarët e UÇK-së apo edhe njerëz tërësisht të pakënaqur për arsye sociale. Më pas, duhet të nisin të negociojnë me përfaqësuesit e serbëve”, ka thënë ai.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike, me seli në Beograd, ka thënë se megjithë qasjen antievropiane të VV-së dhe thirrjet për Shqipëri të Madhe, ka simpati për lëvizjen e Albin Kurtit, para së gjithash për shkak të aktivizimit shoqëror dhe elementeve të programit social-demokrat.

Janjiq gjithashtu thotë se fakti që ata shihen si nacionalistë nuk është kushedi sa problem, pasi nacionalistët e Ballkanit kur bëhen pjesë e pushtetit, njëjtë si në Serbi me ish-radikalët, e fillojnë procesin e moderimit.

Sidoqoftë, udhëheqja e dialogut nga Vetëvendosje, sipas analistit serb, do të ishte me rrezik që të përdoret nga serbët e veriut për riaktivizimin e dëshirës për ndarje nga Kosova.

“Udhëheqja e dialogut nga VV do të ishte problem shumë i madh pasi kjo do të aktivizonte serbët e veriut të Kosovës, të cilët do t’i thonë komunitetit ndërkombëtar: ‘njëherë hoqëm dorë nga kërkesa për pavarësi pas presioneve tuaja për integrim dhe bashkëpunim me institucionet e Kosovës. Tash, kjo është e pamundshme’. Kjo do të mund të rikthente përpjekjet për pavarësimin e veriut të Kosovës”, vlerëson Janjiq.

Në fund Janjiq ka thënë për Indeksonline se përfaqësuesit politikë shqiptarë të Kosovës nuk kanë komoditet që të shtyjnë krijimin e institucioneve të reja, pasi jo vetëm veriu i Kosovës mund të destabilizohet shpejt, por edhe i tërë rajoni nuk është stabil.