“UÇK” merr përsipër sulmin me granatë mbi ndërtesën e Qeverisë së Maqedonisë

Përmes një komunikate që ka arritur në postën elektronike të TV ASLAT M të dërguar nga “Debatik Sharri” ku qëndron emblema e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, merret përgjegjësia për sulmin me granat mbi qeverinë e Rrepublikës së Maqedonisë, natën e 28 tetorit. 

Lajme

07/11/2014 11:40

“Mbrëmjen e 28 tetorit, nga ora 20:30 deri në orën 21:00, njësiti elitar “Hasan Prishtina” në mënyrë të koordinuar goditi godinën e Qeverisë, Gjykatën dhe kishte në fokus goditje një Stacion Policor në Shkup”, thuhet në këtë komunikatë.

“Koha e zgjedhur dhe mosgoditja e Stacionit Policor u bënë për të ruajtur jetët njerëzore, thuhet në komunikatën e “Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”, të firmosur nga “Kushtrimi”.

Njëkohësisht është lëshuar edhe një deklaratë politike gjithashtu e firmosur nga “Kushtrimi”, ku mes tjerash thuhet se Marrëveshja e Ohrit nuk po gjen zbatim.

“Ajo (Marrëveshja e Ohrit) është stërkequr si mos më keq. Tejzgjatja e zbatimit të saj, qasja shovene e qeverisë ndaj Shqiptarëve, terrori maqedonas i qeverisë shovene ka zbritur deri në familjet shqiptare, kudo e kurdo, në rrugë e shkolla”.

“Procese të montuara, grupe huliganësh të orkestruar nga segmente shtetërore inteligjente, dhunojnë familje, lagje e fëmijë shqiptarë. Shqiptarët sot në Maqedoni po jetojnë natën e akullt”.

“Thërrasim faktorin ndërkombëtarë të ndërhyjë, faktorin politik shqiptarë e veçanërisht atë në Qeveri, të shohë me realizëm gjendjen e mjerë të popullit shqiptarë në Maqedoni”, thuhet në komunikatë.

“Qeveria shovene maqedonase, rrugëton çdo ditë e nga pak drejt folesë ruse përmes rrugës serbe. Shqiptarët nuk e duan këtë. Integrimet euroatlantik e çon rajonin drejt prosperimit. Ne duam ashtu siç ndajmë fate e hapësira të njëjta të ndajmë dhe liri e mundësi të njëjta”, shkruan në deklaratën politike të “Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”.