‘U sulmuam befasisht’

Gani Koci, i cili e shoqëronte Azem Sylën në çastin kur është shtënë me armë zjarri në drejtim të tij sot në Skënderaj, thotë për lajmi.net se ata u sulmuan befasisht nga Gani Geci derisa ishin rrugës. Mohon të ketë pasur konflikt verbal paraprakisht.

Lajme

28/10/2013 14:50

(E Plotësuar, 15:30)

Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, konfirmoi për lajmi.net ngjarjen e sotme në Skënderaj, kur pas një tubimi elektoral të PDK’së në këtë qytet, thuhet të jetë shtënë me armë zjarri në drejtim të Deputetit të PDK’së, Azem Syla.

Ai tha se Azem Syla është sulmuar me armë nga Gani Geci.

Gani Koci ishte në shoqërim të deputetit Azem Syla, në çastet kur është shtënë me armë zjarri.

Zyrtari i lartë i PDK’së, nga stacioni policor, ku ndodhet aktualisht, mohoi për lajmi.net të ketë pasur ndonjë konflikt verbal paraprakisht.

“Ka qenë një tentim i Gani Gecit, por që fatmirësisht ka përfunduar pa pasoja”, ka thënë Koci.

“Nuk ka pasur asnjë konflikt verbal mes tyre”.

“Ne kemi qenë rrugës, kur ka ndodhur sulmi. Sulmi ka ndodhur befasisht dhe nuk ka pasur pasoja”.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës ka konfirmuar për lajmi.net incidentin e sotëm që ka ndodhur në Skenderaj.

Ai tha se nuk ka pasur të plagosur, e as shkëmbim zjarri në këtë incident.

“Nuk ka te plagosur, siç është raportuar në media”.

“Po ashtu, nuk ka pasur shkëmbim zjarri”

“Ka qenë një gjuajtje në ajër”.

…………………………………………….

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK’së, Azem Syla, është gjuajtur me armë zjarri, sot, në Skënderaj.

Burime të lajmi.net thonë se ai nuk është plagosur.

Mediat raportojnë se ai që ka shtënë me armë në drejtim të Azem Sylës është ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci me trupërojat e tij. Por, një gjë e tillë zyrtarisht nuk është konfirmuar ende.

Po ashtu, bëhet e ditur se në momentin e sulmit, Azem Syla ishte i shoqëruar nga Zëvendësministri Gani Koci.

Ngjarja pohohet se ka ndodhur pas një tubimi elektoral të Partisë Demokratike të Kosovës, në Skenderaj.

Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë zyrtarisht informacion.