U bë përkrahës i ISIS-it, aktakuzë kundër të pandehurit  A.Gj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.Gj., për shkak se ka kryer veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj.

Lajme

07/12/2016 13:10

Sipas aktakuzës  i pandehuri gjatë viteve 2014 – 2015, duke jetuar në Gjermani  është bërë përkrahës i organizatës terroriste “ISIS”. Po ashtu, policia Gjermani me datë 18 prill të vitit 2015 e ka depërtuar për në Kosovë, ku edhe më tutje i nxitur nga ideologjia e lartë cekur, më datë 11 dhjetor 2015, nga aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar për në Turqi, duke u fshehur si anëtar i OJQ-së, “LIZA-R”, ashtu që është ndarë nga grupi dhe ka vazhduar për në Siri, duke ju bashkangjitur grupit të shqiptarëve të cilët luftojnë në radhët e organizatës “ISIS”.

Ndërkaq, më datë 25 shkurt 2016, me rastin e kalimit ilegal të kufirit dhe hyrjes në Turqi nga Siria është zënë nga autoritetet Turke, me ç ‘rast është paraqitur si shtetas i Rusisë, Ashab Arsayev, i cili është paraburgosur, kurse më datë 5 shtator 2016 është depërtuar për në Kosovë.

“Me këto veprime, i pandehuri A.Gj., ka kryer veprën penale, “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nga neni 3 paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit nr.05/L-002”, ka bërë të ditur Prokuroria e shtetit.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendas i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës./Lajmi.net