U ndalohet qasja gazetarëve në Trepçë, arrin letra e Qeverisë

Spekulohet se kjo ndalesë për gazetarë është bërë për shkak se me minatorët e ngujuar është duke negociaur dikush nga Qeveria e Kosovës.  

Lajme

21/01/2015 21:31

Por, përderisa minatorët janë ende në grevë, nuk dihet se çka po ndodh me ta, pasi që qasja e mediave është ndaluar në orët e mbrëmjes, raporton KosovaPress.

Jo zyrtarisht mësohet se dikush nga Qeveria është brenda duke negociuar me minatorët, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Më shumë se 700 minatorë kanë filluar grevën dje duke kërkuar që Ligji për Trepcën të kthehet në Kuvend. 

Në anën tjetër, burime të Koha.net bëjnë me dije se minatorëve sonte iu është dorëzuar një letër e Qeverisë së Kosovës. 

Letra përshkruan në detaje situatën e krijuar deri më tash, si dhe ofron garanci se Trepça është e sigurt. Një ekip i kabinetit të kryeministrit Mustafa e ka dërguar në zarf të mbyllur letrën tek menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça”.

Letra pritet të bëhet publike, kurse minatorët pas analizimit të kësaj letre do të vendosin nëse do të qëndrojnë në grevë apo do të dalin.