U.D i kryetarit të Medvegjës sulmohet fizikisht nga serbët

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës, njëherësh zëvendëskryetar i Medvegjës, Florim Sahiti është sulmuar nga një grup qytetarësh, sipas tij, simpatizantë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS-së së Vuçiqit dhe Nikoliqit). 

Lajme

12/01/2015 20:34

Këta qytetarë serbë ishin tubuar të hënën para objektit të Kuvendit të Komunës, por pastaj kanë hyrë edhe në ndërtesë gjatë mbajtjes së seancës së 24-të të Asamblesë.

“Duke më fyer me fjalët ‘nënën e shqiptarit, dëshiron t’ia shesësh Medvegjën Kosovës, nuk do të lëmë vend askund në Medvegjë’, ata më janë vërsulur dhe më kanë sulmuar edhe fizikisht para sallës së Kuvendit Komunal, kur kam dalë për të parë se kush po hedh topa bore në dritaret e sallës së Kuvendit”, tha Sahiti, i cili paraqitej nga stacioni policor i Medvegjës, ku ishte duke dhënë deklaratë.

“Jam i shqetësuar për veten, për familjen time, për të gjithë shqiptarët e Medvegjës”, tha ai për portalin Mepress.info.

Sulmi fizik ndaj Florim Sahitit bëri që seanca e Asamblesë komunale të Medvegjës të ndërpritet. (mepress.info)