Tym e flakë në Kaliforni (Foto/Video)

Zjarret e shumta që kanë kapluar Kaliforninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë detyruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve, qindra shtëpi janë djegur e dëmtuar, ndërkohë që dëmet në dollarë llogaritet të kenë kaluar 20 milionëshin.

Bota

16/05/2014 17:10

Edhe të premten, erërat e forta nuk po lejojnë zjarrfikësit për të bërë përparim në nëntë zjarret që prej tri ditësh kanë djegur mijëra hektarë livadhe e pyje, përfshi edhe 18 shtëpi, në zonën e San Diegos.

Flakët në rritje përgjatë kodrave pranë qytetit të San Marcos krijuan shtëllunga masive nga tymi. Kështu të enjten në mbrëmje, dukshmëria ka qenë shumë e kufizuar, për shkak të qiellit të mbuluar nga tymi i zi.  

Sherif i San Marcos, Bill Gore, tha se shpërthimi i zjarreve të reja të premten ka vënë në rrezik jetën e shumë banorëve.

Ai tha për the Neë York Times se ka dhënë urdhër  për evakuimin e 13 mijë banorëve të qytetit, pas evakuimit të mëse 20 mijë banorëve që është bërë të mërkurën e kaluar.

Zjarri, i cili shpërtheu të mërkurën në San Marcos, detyroi edhe evakuimin e kampusit universitar, ku rreth 10.000 studentë anuluan ceremoninë e diplomimit.

I pyetur për mundësinë e zjarrvënies, sherif tha se nuk do të paragjykojë hetimet.

Ndërkohë zyrtarë të Urgjencës njoftuan se përveç mijëra zjarrëfikësve, në dispozicion janë vënë edhe një numër i konsiderueshëm i avionëve zjarrfikës, duke përfshirë edhe 22 helikopterëve ushtarakë.