TVSH për gazetat nga Serbia

Gazetat beogradase janë detyruar sot që të paguajnë taksën e TVSH-së për të hyrë në Kosovë. Në pikë-kalimin kufitar të Jarinjës, doganierë të Kosovës, kanë lejuar hyrjen e shtypit serbë vetëm pas pagesës së kësaj takse.

Lajme

27/03/2014 12:25

Gazetat ditore nga Beogradi kanë arritur  me vonesë në mëngjesin e sotëm në Veri të Kosovës, pasi që u janë nënshtruar TVSH-së.

Dogana e Kosovës sot në mëngjes në pikë-kalimin kufitar në Jarinjë, ka ndaluar automjetin që shpërndante shtypin nga Serbia për në Veri të Kosovës, raporton B92.

Njëri nga shpërndarësit e këtyre të përditshmëve, Zvezdan Mihajlovic, ka deklaruar se doganierë të Kosovës e kanë lejuar atë t’i fusë brenda këto gazeta, vetëm pasi ishte detyruar që ta paguaj TVSH-në.

Sipas tij, probleme të tilla ka pasur edhe më herët, ku është kërkuar të paguhet taksa ditore për gazetat serbe.

“Edhe më herët na kanë detyruar që të paguajmë taksa doganore. Mirëpo, sot na kanë detyruar që të paguajmë taksën prej 16 për qind të shumës”.