Turqia vazhdon lobimin për Kosovën

Turqia do ta vazhdojë lobimin për pavarësinë e Kosovës dhe është e gatshme për thellim të marrëdhënieve ndërshtetërore. Kështu i ka premtuar Ministri Ahmet Davutoglu, në një bisedë, Ministrit Enver Hoxhaj.

Lajme

30/11/2013 13:45

Turqia do të vazhdojë angazhimin e saj për të lobuar në shtimin e njohjeve të Kosovës.

Këtë e ka rikonfirmuar Ministri i Jashtëm Turk, Ahmet Davutoglu, në një bisedë telefonike me homologun e tij nga Kosova, Enver Hoxhaj.

Në një komunikatë të MPJ’së thuhet se Hoxhaj ka veçuar fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë turke, siç njoftohet, ka premtuar se Ankaraja zyrtare shpreh përkrahjen e për avancimin e gjithanshëm të proceseve, e veçanërisht në lobimin për njohjen e mëtutjeshme të Kosovës.

“Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka vlerësuar progresin që po arrihet në vazhdimësi në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e shtetit të tij për avancimin e gjithanshëm të proceseve, e veçanërisht në lobimin për njohjen e mëtutjeshme të Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ministri turk, po ashtu ka theksuar vullnetin e Qeverisë turke për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral me Kosovën.

Ndërsa, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar homologun turk për proceset e fundit në Kosovë.

“Hoxhaj veçoi fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përmes njohjeve dhe anëtarësimit në organizatat e ndryshme ndërkombëtare”.

“Hoxhaj kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Turqisë në përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën, duke vlerësuar lart mbështetjen e deritashme të Turqisë në këtë drejtim”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu ka theksuar vullnetin e Qeverisë së Kosovës për  thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral me Turqinë.