Turqia rrezikon unitetin kombëtar nëse toleron masakrimin e kurdëve në Kobane

13:47 | 7 Tetor 2014

Ushtarë turq shikojnë luftën me dylbi

Militantët sunitë të Shtetit Islamik po luftojnë me luftëtarët kurdë nëpër rrugët e qytetit sirian Kobani, i cili ndodhet disa qindra metra larg kufirit me Turqinë. Kjo e fundit ka zemëruar kurdët, të cilët e kanë paralajmëruar Ankaranë se mund të rrezikojë sigurinë kombëtare nëse toleron masakrimin e civilëve në Kobani. 

Flamujt e “Shtetit Islamik” janë ngritur në një kodër strategjike pranë qytetit, në disa ndërtesa  në lindje të qytetit, ndërkohë që po vazhdojnë luftimet për qendrën e qytetit, që popullohet kryesisht nga kurdët sirianë.

Sipas BBC-së, mëngjesi ka qenë më i qetë, pasi Aleanca e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka kryer sulme ajrore përreth qytetit mbi caqet e “Shtetit Islamik”, por është kufizuar me sulme afër qytetit për shkak të pranisë së civilëve.

Rreth 2000 kurdë kanë ikur gjatë natës nga ky qytet dhe i janë afruar brezit kufitar, me qëllim që të futen në Turqi, por ende nuk është dhënë urdhri nga autoritetet turke që të lejohet hyrja e tyre.

Që kur kanë filluar sulmet e militantëve të “Shtetit Islamik” në Kobani, rreth 160 mijë kurdë nga ky qytet dhe rrethinat e tij janë hyrë në Turqi, për të shpëtuar nga masakrimi që prej qershorit kanë pësuar mbi 10 mijë sirianë dhe irakianë, të krishterë dhe myslimanë shiitë.  

Ndërkohë mosreagimi i Turqisë që ka stacionuar tanket përgjatë kufirit, ka zemëruar jo vetëm refugjatët kurdë nga Siria, por edhe kurdët e Turqisë, që sipas statistikave jozyrtare arrijnë deri në 18 milionë.

 Asya Abdullah, një bashkë-udhëheqës i partisë kurde Bashkimi Demokratik që përfaqëson kurdët sirianë në Kobani, ka thënë për BBC-në se në qytet ka edhe mijëra civilëve të tjerë, dhe nëse nuk ndalën militantët e “Shtetit Islamik”, atëherë sipas tij, mund të kryhet një masakër e madhe para syve të Turqisë.  

Ai ka thënë se luftëtarët kurdë janë duke u përpjekur të ndalin ofensivën e “Shtetit Islamik”, mirëpo sipas tij, militantët janë më mirë të armatosur, dhe se kanë vendosur tanket në të gjitha anët e qytetit.  

Turqia – një superfuqi rajonale me trupa të specializuara dhe makineri të blinduara që ka stacionuar në kufi, disa qindra metra nga Kobani, nuk duket e gatshme për të ndërhyrë pavarësisht një premtim të qeverisë të dhënë javën e kaluar se Ankaraja do të bëjë gjithçka që duhet për të parandaluar rënien e qytetit Kobani në duar të “Shtetit Islamik”.  

Siç raporton BBC, analistët në terren vlerësojnë se në rast të rënies së qytetit Kobani, Ankaraja zyrtare me mosreagimin e saj do të vë në rrezik edhe sigurinë kombëtare turke, duke pasur parasysh numrin e kurdëve, edhe ashtu të pakënaqur me statusin e tyre politik në Turqi.   

“Turqia ka pranuar refugjatët kurdë sepse ndodhet para presionit të brendshëm kurdë dhe atij ndërkombëtar, pro duket se nuk është e gatshme tu japë mbështetje forcave kurde në Kobani, sepse i llogaritë për aleatë të PKK-së (Partisë Kurde në Turqi), e shpallur nga autoritete turke si organizatë terroriste”, shkruan BBC, raporton lajmi.net.