Turqia nuk i kërkon falje Serbisë

Ahmet Davutoglu thotë se deklaratat që Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë gjatë vizitës së tij në Kosovë, nuk ka qenë të karakterit politik. Për këtë arsye ai thotë se nuk do t’i kërkohet falje Serbisë.

Lajme

13/01/2014 13:06

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka thënë se Ankaraja zyrtare nuk do t’i japë sqarime Serbisë për deklaratën që bëri gjatë vizitës në Kosovë, Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan kur pati deklaruar se “Turqia është Kosovë dhe Kosova Turqi”.

Kjo deklaratë kishte ngjallur zemërim dhe reagim të ashpër të Beogradit zyrtar. Zyrtarë të lartë të shtetit serb patën kërkuar menjëherë nga Ankaraja që t’i kërkojë falje Serbisë për këtë deklaratë, që shteti serb pretendonte se shkelte sovranitetin e tyre.

Por, në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutoglu, ka thënë se me këtë deklaratë të Kryeministrit turk s’është fyer askush.

“Në vizitën e tij në Kosovë, Kryeministri Erdogan, gjatë qëndrimit në Prizrenit ka deklaruar se Turqia është Kosovë dhe Kosova Turqi, por kjo deklaratë nuk ka qenë e natyrës politike dhe nuk ka përfaqësuar ekspansion politik”.

“Kur ne themi në turqisht se ‘Kosova është Turqi’, kjo tregon për afërsinë kulturore. Dhe, unë sinqerisht shpresoj se ky duhet të jetë një sqarim i mjaftueshme për të treguar qëllimet tona të mira në ndaj të Qeverisë dhe popullit të Serbisë”.