Turqia kryen sulme ajrore ndaj kampeve të PKK-së, vret gati 40 persona

Avionët e Forcave Ajrore të Turqisë kanë kryer sulme të intensifikuara ndaj kampeve të pjestarëve të Partisë Punëtore të Kurdëve (PKK) në veri të Irakut dhe neutralizuan një grup prej 40 pjesëtarë të saj

Bota

08/09/2015 13:18

Avionët e tipit F-16 dhe F-4, pas sulmit në rajonin Daglıca, kanë nisur sulmet ajrore që zgjatën nga ora 23:00 deri në orën pesë të mëngjesit të sotëm. Sulmet janë kryer ndaj kampeve Kandil, Kahhurk, Avasin, Metina, Basyan, Gare dhe Zap në veri të Irakut.

Sipas të dhënave paraprake, janë neutralizuar 35 deri 40 pjesëtarë.

PKK është shpallur organizatë terroriste nga Bashkimi Evropian, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara. Në kuadër të procesit të zgjidhjes së çështjes kurde më parë janë nisur bisedimet me partitë pro-kurde, dhe është arritur marrëveshja me Qeverinë e Turqisë të përbërë nga stafi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) për çarmatimin e pjesëtarëve të PKK-së dhe tërheqjen e tyre nga territori turk në hapësirën e Irakut verior, raporton Anadolu Agency (AA).

Terroristët e PKK-së në muajt e fundit në dhjetëra raste kanë shkelur marrëveshjen e arritur në negociatat e fundit të autoriteteve turke me Abdullah Ocalan, liderin e organizatës terroriste i cili vuan dënimin e burgimit të përjetshëm.

Në sulmet terroriste të kryera në disa muajt e fundit janë vrarë dhjetëra njerëz, ndërsa është shkaktuar edhe dëmi i madh material në vendbanimet në juglindje të Turqisë.