Të Infektuar: 224

Të Shëruar: 37

Të Vdekur: 6

Turqia e mbyll kufirin me Iranin shkaku i koronavirusit

15:05 | 23 Shkurt 2020

Turqia ka vendosur që ta mbyllë kufirin me Iranin si masë parandaluese kundër përhapjes së mëtejme të virusit të rrezikshëm. Ky vendim erdhi pak pas njoftimit të autoriteteve iraniane për vdekjen e tetë personave.

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se pikë-kalimi kufitar në provincën Van dhe pikë-kalimi tjetër në provincën Hakkari janë mbyllur për vizitorët nga Irani, raportojnë mediet turke.

Ai gjithashtu njoftoi se Turqia i ka ndërprerë përkohësisht të gjitha fluturimet nga Irani në mënyrë të njëanshme. Ky vendim do të hyjë në fuqi sonte nga ora 20.

Irani u bë shteti i parë i Lindjes së Mesme me raste të konfirmuara të koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë e këtij shteti ka njoftuar se deri më tash janë regjistruar 43 persona të infektuar.

Ndryshe, koronavirusi tashmë është përhapur edhe në Evropë e më së shumti në Itali, ku janë regjistruar më shumë se 100 raste.

Më shumë se 2400 persona kanë vdekur dhe rreth 77 mijë janë infektuar në mbarë botën deri të dielën.