Turqia e gatshme të mbështet Kosovën në të gjitha fushat

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, në përfundim të mandatit të saj, ka theksuar se Turqia dhe qytetarët e saj mbeten të përkushtuar në mbështetjen e Kosovës në të gjitha fushat.

Lajme

07/08/2015 16:16

Këto komente ajo i bëri gjatë takimit lamtumirës të mbajtur sot me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Jahjaga falënderoi ambasadoren Ozan për kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës.

“Presidentja Jahjaga vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët veçanërisht në fushën e ekonomisë.:, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Jahjaga ndër tjerash  tha se komuniteti turk në Kosovë është urë në mes dy vendeve dhe tha se të drejtat e këtij komuniteti ashtu si dhe komuniteteve të tjera në Kosovë, janë të garantuara me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë znj. Ozan, shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer të Presidentes Jahjaga dhe institucioneve të Kosovës duke vlerësuar përparimin e bërë në marrëdhëniet dypalëshe./lajmi.net