Turqia akuzon sërish: Avioni rus hyri në territorin turk

​Një avion rus ka shkelur hapësirën ajrore të Turqisë. Të paktën kështu pretendojnë autoritetet turke, të cilat kanë thirrur për shpjegime Ambasadorin rus në Ankara.

Bota

30/01/2016 21:41

Ministria e Jashtme e Turqisë tha se një avion rus, SU-34 fluturoi në hapësirën ajrore turke të premten, pavarësisht paralajmërimeve të shumta.

“Një avion i llojit Su-34, i cili i përket forcave ajrore të Federatës Ruse ka shkelur hapësirën ajrore turke dje në orën 11:46 minuta sipas kohës locale”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Ambasadori rus në Ankara është thirrur për të dënuar ashpër dhe protestuar për incidentin.

Shkelja e hapësirës ajrore konsiderohet nga Turqia një tregues konkret i synimeve të Rusisë për të përkeqësuar marrëdhënien me Turqinë.

Por Ankaraja zyrtare paralajmëron Rusinë se do të jetë përgjegjëse për pasojat e tmerrshme që mund të vijnë si rezultat i akteve të tilla të papërgjegjshme.

Turqia, një kundërshtar i zëshëm i Presidentit sirian Bashar al-Assad, është ankuar shpesh për shkelje ët hapësirës ajrore nga avionët rus, gjë të cilën Moska e mohon.

Megjithatë tensionet u përshkallëzuan në momentin ku dy avionë turq F-16 qëlluan një rus Su-24 më 24 nëntor.

Dy personat e ekuipazhit u hodhën me parashutë, por më pas u qëlluan nga rebelet e zonës në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë.

Piloti humbi jetën, por ndihmësi i tij u shpëtua nga forcat qeveritare siriane. Turqia tha se ka qëlluar vetëm pas injorimit të paralajmërimeve nga rusët, por Moska kundërshton duke thënë se avioni u qëllua pa asnjë paralajmërim.