Turqi: Vriten 14 protestues kurdë

17:22 | 8 Tetor 2014

Një grua me fëmijën e saj në qytetin turk Diyarbakir, ku shihen pasojat e përleshjeve të protestuesve me policinë

Së paku 14 kurdë janë vrarë në përleshjet me policinë gjatë protestave për shkak të refuzimit të Turqisë për të ndihmuar dhe mbrojtur qytetin Kobane në Siri, që gjendet në kufi me Turqinë.

Kurdët në Turqi kanë filluar protestat një ditë më parë, të zemëruar me shtetin e tyre se nuk po e ndihmon Kobanen e sulmuar nga militantët e Shtetit Islamik (IS), ku shumica e banorëve janë kurdë, transmeton radio Evropa e Lirë.

Protestuesit kanë dalë për të shprehur pakënaqësinë e tyre në të paktën gjashtë qytete, përfshirë Stambollin, Diyarbakir, Ankara, Mersin dhe Adana.

Raportimet më të reja flasin për tërheqje të militantëve të IS nga disa pozicione rreth  qytetin Kobane, pas sulmeve të intensifikuara ajrore nga Shtetet e Bashkuara.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se militantët vazhdojnë të luftojnë në pjesët lindore dhe juglindore të Kobanes, por janë tërhequr plotësisht nga ana perëndimore e qytetit.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thirrur kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu, për të diskutuar për ngurrimin e Ankarasë për t’u përfshirë në luftë kundër militantëve në Kobani.

Një ditë më parë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se Kobane ‘është gati për të rënë i tëri në dorën e IS’.

Gjatë një vizite që u ka bërë refugjatëve sirianë në Turqi, ai ka thënë se ‘terrori nuk do të ndalet, përpos nëse arrihet një bashkëpunim për sulme tokësore’.