“Turpi dhe skenari i keq i Bosilegradit” – KF Tërnoci publikon pamjet e bastisjes së zhveshtores së tyre nga policia serbe
Një skandal i vërtetë ka ndodhur në qytetin e Bosilegradit në Serbi, pasi ka përfunduar ndeshja futbollistike midis KF Mlladost dhe klubit shqiptar KF Tërnoci, me këta të fundit që kanë publikuar pamjet kur policia ka bastisur zhveshtoren ku ata qëndronin. KF Tërnoci ka reaguar duke shpjeguar të gjithë ngjarjen, ndërsa ka postuar edhe video…

Sport
Një skandal i vërtetë ka ndodhur në qytetin e Bosilegradit në Serbi, pasi ka përfunduar ndeshja futbollistike midis KF Mlladost dhe klubit shqiptar KF Tërnoci, me këta të fundit që kanë publikuar pamjet kur policia ka bastisur zhveshtoren ku ata qëndronin.
KF Tërnoci ka reaguar duke shpjeguar të gjithë ngjarjen, ndërsa ka postuar edhe video gjatë bastisjes së zhveshtoreve të tyre.
Klubi tregon se lojtarët ishin ftuar në rajonin e policisë, por njëri nga lojtarët që u godit nga policia nuk u lejua të jepte deklaratë.
Më poshtë deklarata e plotë e klubit shqiptar, ku kanë shpjeguar se si ka ndodhur e gjithë situata.
Turpi dhe skenari i keq i Bosilegradit. Ja çka na ndodhi
Sot, ekipi ynë në frymën e sportit dhe Fer Plejit është paraqitur në stadiumin e Bosilegradit për të zhvilluar ndeshjen kampionale në kuadër të Ligës Rajonale të Rrethit të Pçinjës me skuadrën vendëse, Mlladost.
Gjatë tërë ndeshjes, u pa tendenca e nikoqirëve, në bashkëpunim me arbitrat, për të na dëmtuar në rezultat. Ashtu edhe ndodhi. Pasi na ndëshkuan padrejtësisht me dy kartona të kuq, ndeshja shkoi në 2:1 në favor të vendësve.
Duke u pajtuar me fatin e ndeshjes, asnjëherë s’e kishim menduar se ky ishte fillimi i një drame për ekspeditën e klubit tonë. Një pjesëtar i sigurimit në stadium, për arsye të panjohura, fton të futet policia në fushë, e cila pa lejen e delegatit nuk guxon ta shkel terrenin.
Me plot egërsirë dhe mllef, njëri nga policët godet futbollistin tonë, Veton Zeqiri, ndërsa ndaj të tjerëve pasojnë fyerjet e ndryshme.
Edhe këtu nuk ishte fundi.
Policia futet si në filma në zhveshtoren tonë duke kryer një bastisje tek gjërat personale të futbollistëve. Në mënyrë të egër policët bastisin gjithçka nën pretekstin e kërkimit të armëve të ftohta e çka jo tjetër. Pasi nuk gjetën asgjë, skenari i dramës policore vazhdon me dërgimin e ekipit tonë në stacionin policor të këtij qyteti. Këtu kërkohet nga kapiteni ynë të jepet deklaratë ndërsa nuk pranohet deklaratë të japë edhe futbollisti ynë i rrahur.
Krejt në fund, lihemi të lirë ndërsa deklaratën për dhunën policore do ta japim në stacionin e Bujanocit. Në fund, konstatojmë se maltretini dhe dhuna e sotme në Bosilegrad ishte një skenar i përgatitur nga qarqe jashtëfutbollit dhe për nevoja krejtësisht tjera.
Shtrohet pyetja, nëse vërtetë policia ka pranuar informacione se ekipi ynë ka shkuar në Bosilegrad për incidente, pse ka lejuar të fillojë ndeshja? Pse ka lejuar ekspeditën e KF Tërnoci të futet në qytet,etj?
Po ndaj kujt patëm ne të shkaktojmë dhunë? Ne jemi vetëm për futboll dhe sport si urë lidhëse mes popujve. Por, siç po shihet kundër sportit e kundër një etnie të tërë janë të tjerët. Janë ata që thurrin skenare që u dalin aq qesharake.
Ditëve në vijim, do të shqyrtojmë prezencën tonë në garat e mëtejme duke pasur parasysh në radhë të parë sigurinë dhe shëndetin e djelmoshave tanë si dhe duke mos rënë në grackë të atyre që përmes nesh dëshirojnë realizimin e qëllimeve të tyre politike apo etnike. Në vazhdim ju sjellim pamje të ndodhive të sotme në Bosilegrad.