Turp të mos ketë ujë
Behxhet Pacolli kritikon qeverisjen në Prishtinë, të cilën e quan të keqe. Thotë se është turp të mos ketë ujë në ditë të sotme. Premton se do t’i realizojë të gjitha premtimet veta.

Lajme
Lideri i AKR`së, Behxhet Pacolli ka bërë sot një varg premtimesh në takim me qytetarët e Komunës së Prishtinës lagje më lagje.
Ka thënë se të gjitha premtimet do të realizohen, sepse, sipas tij, AKR është e vetmja parti që realizon premtimet për dallim nga partitë tjera.
Për problemet e ujit, kanalizimit, Pacolli e ka drejtuar gishtin kah qeverisja aktuale.
“Stop një qeverisjeje si kjo. Kjo është qeverisje e keqe. Është turp qe edhe në shekullin e 21 të flitet për problemin e ujit, kanalizimit e infrastrukturës. Vetëm pak të kishte punuar kjo qeverisje, këto probleme nuk do të ekzistonin dhe qytetarët do të jetonin një jetë dinjitoze”.
“Komuna e Prishtinës nuk i ka shfrytëzuar pronat të cilat i posedon për të bërë biznes publiko-privat. Kur ne të qeverisim më Prishtinën, do të themelojmë Agjencionin Komunal të Participimit për t’ua lehtësuar bizneseve veprimtarin e tyre, dhe ku komuna do të ndihmojë”.
“AKR zhvillimin ekonomik, punësimin e ka prioritet, pasi që komuna e Prishtinës edhe pas shumë viteve ende nuk ka mundur të hapë vende të lira të punës, e thonë që Prishtina është metropol. Mirëpo, mungon zona e lire ekonomike. E si mund të quhet metropol një qytet pa zonë të lirë ekonomike?”
Kandidati për Prishtinën i AKR’së, Korab Sejdiu, ndërkaq, ka thënë se punësimi do të jetë primar.
Kjo, sipas tij, do të arrihet përmes zhvillimit të biznesit.
“Punësimi është problemi më i madh për qytetarët e Prishtinës. Në qeverisjen tonë, punësimi do të jetë prioriteti dhe përgjegjësia kryesore. Punësimi do të arrihet përmes zhvillimit të biznesit”.
“Projekti më i rëndësishëm në fushën e punësimit do të jetë thellimi i Fondit për Zhvillimin e Ndërmarrësi dhe Punësim. Ky fond ka për qëllim të përmirësojë qasjen në biznes, ku një pjese e tyre do të shkojë si garanci për bizneset fillestare të cilat krijojnë vende te reja pune,”
“Problemet dhe shqetësimet tuaja janë aq të shumta, sa nëse i themi të gjitha do të mbetemi më orë e ditë të tëra. Në shohim përpara dhe kjo na dallon nga gjithë tjerët.”
Korab Sejdiu gjithashtu ka siguruar qytetarët se do t`i japë fund degradimit të qytetit përmes planit integral të zhvillimit të qytetit.
Ai ka thënë se ditë të mira për Prishtinën do të vijnë që nga 4 nëntori e tutje.