Turneu para-sezonal, mjaft i rëndësishëm

Turneu para-sezonal është mjaft i rëndësishëm për futbollistët e rinj. Për këtë është i bindur Adnan Januzaj, i cili thotë se përfitoi shumë nga kjo fazë vitin e kaluar.

Sport

26/05/2014 18:39

Adnan Januzaj ia ka pa hairin fazës para sezonale me Manchester Unitedin vitin e kaluar.

Ylli kosovar shkëlqeu në turneun e verës, duke e fituar ‘zemrën’ e trajnerit David Moyes, i cili më pas ia dha rastin gjatë tërë sezonit.

19 vjeçari pret që rrugën e tij ta ndjekin edhe futbollistët tjerë të rinj, në turneun që ‘Djajtë e Kuq’ do ta zhvillojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë verë.

“Turneu është mjaft i rëndësishëm. Aty ju e keni rastin ta shfaqni kualitetin dhe e ke bazën e ushtrimeve për pjesën tjetër të sezonit”, deklaroi Januzaj për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Është mirë për djelmoshat e rinj të përmirësohen atje dhe t’i tregojnë trajnerit se çka mund të bëjnë”.

“Kur kam shkuar në turne, e dija se disa prej lojtarëve vinin nga rezervistët, por fillova të mësoja më shumë rreth secilit dhe se si funksionon klubi”, përfundoi Januzaj.

United në SHBA do të përballen këtë verë me ekipet LA Galaxy, Roma, Inter Milan e Real Madrid.