Turma e myslimanëve vret dy të krishterë pakistanezë

Policia pakistaneze ka njoftuar se një turmë myslimanësh kanë rrahur deri në vdekje një çift të besimit krishterë dhe më pas kanë djegur trupat e tyre.

Bota

04/11/2014 19:03

Një gjë të tillë e kanë bërë me pretekstin se çifti ka përdhosur Kuranin. Rasti ka ndodhur të martën në  qytetin Kot Radha Kishan, 60 kilometra në jug-perëndim të Lahores, transmeton REL.

Ky është rasti më i fundit i cili tregon dhunën e turmave myslimane ndaj pakicave të akuzuara për blasfemi.

Viktimat, të cilët ishin duke punuar në një përpunues të tullave, janë identifikuar vetëm me emrat e tyre të parë, Shama dhe Shehzad.

Ministri i këtij rajoni, Shahbaz Sharif ka urdhëruar një komision tre anëtarësh për të  hetuar vrasjet, si dhe ka urdhëruar policinë që të forcojë sigurinë në lagjet ku jetojnë të krishterët.

Blasfemia është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme në vendet me shumicë myslimane, ku shpeshherë akuza të pavërtetuara nxisin dhunën e bandave.