Turistët bllokohen në trafik, akset nacionale në veri dhe jug, të mbingarkuara

Segmenti rrugor nga Thumana në drejtim të Fushë Krujës, po përjeton trafik të rënduar në këto ditë të nxehta të gushtit.

Lajme

13/08/2019 19:57

Radha e makinave të cilat ecin shumë ngadalë, është mbi disa kilometra. Ky trafik, po vijon i tillë që prej një jave duke bllokuar kështu një aks të rëndësishëm nacional.

Trafiku i rënduar është regjistruar që në orët e para të mëngjesit duke vështirësuar qarkullimin për mijëra mjete, të cilat kryesisht janë drejtuar për në bregdetin tonë.

Pika më problematike ku edhe trafiku fillon të rëndohet, është rrethrrotullimi i Thumanës, pasi rruga që është me dy korsi, reduktohet në një, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Temperaturat e larta, e kanë bërë edhe më të vështirë qëndrimin në trafik. Shoferët shprehen të shqetësuar, pasi për pjesën më të madhe të tyre, dita e parë e pushimeve nisi me një trafik të tillë.

Patrulla të shumta të policisë rrugore janë vendosur në rrugën nga Fushë-Kruja në drejtim të Rrugës së Kombit, si masë e shtuar për parandalimin e aksidenteve dhe mbajtjen nën kontroll të trafikut të sezonit veror. Vetëm në orët e para mëngjesin e së hënës, në pikën e kalimit kufitar të Morinit, kanë hyrë rreth 22 mijë qytetarë kosovarë me rreth 4 mijë mjete, të cilët kanë zgjedhur të pushojnë në vendin tonë.

Ndërkaq, mesditën e së martës, vështirësi në qarkullim pati edhe në hyrje të Tiranës në vendin e quajtuar “Mbikalimi i Kamzës”. Një aksident i ndodhur, me dëme vetëm në mjete, vështirësoi për disa minuta qarkullimin, deri sa makinat u hoqën nga policia rrugore.

Top Channel