Tuchel i shqetësuar me situatën e Christensen: Nuk kam lajme të mira për rinovimin

Trajneri i skuadrës së Chelsea, Thomas Tuchel ka dhënë disa lajme të reja lidhur me situatën aktuale të mbrojtësit Andreas Christensen.

Sport

01/12/2021 08:22

Mbrojtësi danez është në vitet e fundit të kontratës së tij me ‘Blutë’ dhe dëshira e trajnerit Tuchel është që të rinovohet kontrata e tij.

Megjithatë, në një paraqitje të fundit për medie, Tuchel ka thënë se nuk ka lajme të mira lidhur me këtë çështje. Duket se Christensen po heziton të vë firmën e tij për një vazhdim kontrate.

“Nuk kam lajme të mira. Javë më parë kam kuptuar se Andreas dëshiron të njëjtën gjë sikur ne, dhe kjo është arsyeja pse për mua nuk ishte problem, pasi të gjithë donim të njëjtën gjë, për aq sa kujtoja unë”, ka thënë Tuchel, transmeton lajmi.net.

“Tash e një kohë të gjatë po presim për konfirmim. Është në duart e Andreas që të sillet ashtu siç sillet në fushë, dhe t’iu bie pas fjalëve të tij, pasi ai thotë se e do Chelsean, na thotë se dëshiron të qëndrojë dhe të jetë pjesë e projektit. Besoj se është pjesë perfekte për ne dhe nuk ka mbaruar akoma këtu”, shtoi gjermani.

“Karriera e tij mund të zhvillohet akoma. Por, siç thash, është në duart e tij. Ne duam përkushtim dhe shpresojmë ta kemi”, ka komentuar mes tjerash Tuchel, situatën e Christensen.

Christensen ka luajtur në 13 ndeshje këtë sezon, kurse sezonin e kaluar kishte 27 paraqitje – sezon kur edhe Chelsea fitonte Champions League. /Periskopi/