Tsipras: Do të biem dakord me kreditorët brenda prillit

Duke dashur t’u japë përgjigje gjithë spekulimeve në mediet e huaja, që flasin për një falimentim të mundshëm të Greqisë, kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një intervistë për agjencinë “Reuters” ka shfaqur optimizmin e tij se deri në fund të muajit prill Greqia do të ketë një marrëveshje me partnerët e saj dhe këta zëra do të mbeten veçse në letër.

Bota

16/04/2015 22:25

Tsipras ka thënë se janë katër pika në të cilat Greqia dhe kreditorët nuk po bien dakord por, sipas tij, ajo që është më kryesorja janë dallimet politike.

“Me gjithë kakofoninë dhe deklaratat e ndërsjella që rrjedhin në media, ne kemi tashmë 4 pika kryesore ku nuk biem dakord me kreditorët. Dhe këto janë marrëdhëniet e punësimit, reformat në fushën e pensioneve, rritja e TVSH-së dhe privatizimet apo vlerësimi i pasurisë shtetërore. Por mbi të gjitha dallimet tona janë politike”, ka theksuar Tsipras.

Ai është shprehur i bindur se “Europa nuk do të zgjedhë rrugën e shantazhit ekonomik mizor dhe imoral dhe se këto dallime do të marrin fund së shpejti”.

Deklaratat e Tsipras vijnë në një moment kur ministri grek i Financave, Varoufakis përgënjeshtron nga Washintoni një publikim të fundit të “Financial Times”, se Greqia ka bërë kërkesë zyrtarisht te FMN-ja për të vonuar pagesën e detyrimeve të saj në muajin maj, që shkojnë në rreth 1 miliard euro, kërkesë që sipas gazetës është refuzuar nga organizmi financiar.

Gjithsesi, kryetarja e FMN-së, Christine Lagarde e ka këshilluar Athinën të mos vonojë pagesat, transmeton TCH.

“Asnjë vonesë në pagesë nuk është aprovuar nga bordi i FMN-së në 30 vjetët e fundit. Edhe kur kjo ka ndodhur me disa vende në zhvillim, vonesa në të vërtetë nuk u pasua nga rezultate shumë të frytshme”, tha Christine Lagarde.

Ende nuk dihet se për çfarë saktësisht kanë biseduar Varoufakis dhe Lagarde, në një bashkëbisedim që – sipas burimeve qeveritare greke – është kryer në një frymë të mirë bashkëpunimi dhe ka zgjatur 45 minuta.

Ndërkohë, shpresa për një financim sa më të shpejtë të Athinës jep deklarata e orëve të fundit të ministrit gjerman të Financave, Shcauble në Institutin “Brookings”.

“Europa nuk është aq e fuqishme sa të humbasë një shtet anëtar të saj”,  ka theksuar Shcauble.

Ai ka shtuar se “kreditorët e Greqisë nuk kanë thënë kurrë se do të presin që reformat të realizohen në masën 100% , por sapo të shohin se do të ketë një progres në zbatimin e tyre, do të japin dritën jeshile për dhënien e menjëhershme të ndihmës financiare për Athinën ”.