Tryezë për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit që çon në terrorizëm

Nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit dhe me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot dhe nesër do të zhvillojë punimet tryeza për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm.

Lajme

27/04/2015 17:40

Këshilltari për Siguri Nacionale i Kryeministrit, Edon Myftari hapi forumin duke falënderuar pjesëmarrësit, përfaqësuesit e bashkësive fetare, organizatat ndërkombëtare dhe misionet diplomatike, institucionet vendore, etj.

Myftari tha se fenomeni i terrorizmit dhe radikalizmi kanë prekur Kosovën si çdo vend tjetër në botë dhe se në këtë kontekst Qeveria e Kosovës ka marrë për prioritet nacional hartimin e një strategjie që parandalon ekstremizmin dhe radikalizmin.

“Për të arritur sukses do të nevojitet bashkëpunim i ngushtë i të gjithë akterëve, si atyre të sigurisë (policisë dhe inteligjencës) po ashtu edhe i shoqërisë civile, mediave dhe të gjitha bashkësive fetare në vend. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të jetë në një hap me aleatët e saj si SHBA-të dhe BE-ja në luftën ndaj këtij fenomeni negativ dhe destruktiv sepse edhe prioritet ka sigurinë nacionale dhe sundimin e ligjit në përgjithësi”, u shpreh Myftari.