Truproja i Kurtit që u raportua se sulmoi gazetaren ndërron ekipin, tashmë në mbrojtje të ministres

Ditë më parë u bë e ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të hedh poshtë kallëzimin penal te gazetares Blerta Dalloshi, e cila në dhjetor të vitit të kaluar raportoi se është sulmuar fizikisht nga truproja e kryeministrit Albin Kurti, Bardhyl Rrustemi. Në lidhje me këtë rast u tha se pas…

Lajme

07/08/2024 13:29

Ditë më parë u bë e ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që të hedh poshtë kallëzimin penal te gazetares Blerta Dalloshi, e cila në dhjetor të vitit të kaluar raportoi se është sulmuar fizikisht nga truproja e kryeministrit Albin Kurti, Bardhyl Rrustemi.

Në lidhje me këtë rast u tha se pas analizimit të të gjitha provave doli përfundimit se nuk ekziston dyshimi se truproja e Kurtit ka kryer ndonjë vepër penale.

As keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe as lëndim i lehtë trupor.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit pas analizimit të të gjitha provave që i janë bashkangjitur kallëzimit penal, duke përfshirë pamjet e bashkangjitura në CD nga e dëmtuara, deklaratën e të dëmtuarës, deklaratën e dëshmitarit B.B., shkrimet e publikuara në Medie, deklaratat e të dyshuarit B.Rr., raportin e Drejtorisë së mbrojtjes së afërt të datës 29.03.2024, raportin përfundimtar të hetimeve me rekomandimin për lëndën disiplinore, të dt. 27.03.2024,  ka ardhur në përfundim se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari ka kryer vepër penale sepse nuk janë përmbushur elementet e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe as elementet e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, sipas KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Prokurori po ashtu ka sqaruar se në asnjë moment nuk ka vlerësuar se gazetarët nuk kanë të intervistojnë figurat publike pa aranzhim paraprak, por që bazuar në prova nuk ka arritur të vërtetojë që i dyshuari ka pasur qëllim ta lëndojë gazetaren.

“Për sqarimin tuaj, Prokurori i Shtetit për asnjë moment nuk ka vlerësuar se gazetarët nuk kanë të drejtë të intervistojnë figura publike pa aranzhim paraprak të intervistave, mirëpo Prokurori i Shtetit nuk ka arritur të vërtetojë dashjen si element të veprës penale nga veprimi i së cilës i është shkaktuar lëndimi trupor të dëmtuarës, e gjithashtu në bazë të video incizimit nuk vërtetohet se i dyshuari ka pasur për qëllim ta lëndojë gazetaren”.

Duke mos u lëshuar në sqarime tjera, ka përmendur faktin që pala e dëmtuar mund të shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Apel.

“Për më tepër, në bazë të dispozitave ligjore të KPPRK-së, çdo person i dëmtuar, në raste të hudhjes së kallëzimit penal, mund ta shfrytëzoj të drejtën e ankesës në Prokurorinë e Apelit, andaj Prokuroria Themelore në Prishtinë, në këtë fazë nuk mund të lëshohet në sqarime të tjera sa i përket kësaj çështjeje”.

Në lidhje me këtë, nga Asocaicioni i Gazetarëve të Kosovës bën të ditur se gazetarja Dalloshi-Berisha do të paraqes ankesën e saj.

“Ju njoftojmë se nesër, 02.08.2024, nga ora 14:00, Anëtarja e Bordit të AGK-së, gazetarja e TV Klan, Blerta Dalloshi – Berisha, do të paraqesë në Prokurorinë e Apelit, ankesën kundër vendimit të prokurorit, Kastriot Berisha, që ka hedhur poshtë kallëzimin penal për sulmin e mbrojtjes së afërt të Kryeministrit Kurti, Bardhyl Rrustemi, ndaj saj”.

Por ajo çfarë bie në sy së fundi është fakti se i lartcekuri si truproja i kryeministrit Kurti tashmë nuk është pjesë e ekipit të mbrojtjes së kryeministrit.

Bardhyl Rrustemi tashmë është në mbrojtjen e ministres Albulena Haxhiu.

Haxhiu ditë më parë ka bërë të ditur se është kërcënuar dhe kësisoj organet e rendit kanë vlerësuar se asaj i duhet mbrojtje e afërt.

Madje ajo tha se nuk e di se për sa kohë do të jetë aktive mbrojtja ndaj saj, por se kërcënime ka pasur.

Siç duket nga zyrtari Rrustemi është larguar tashmë nga ekipi i Kurtit, duke kaluar tek ekipi i Haxhiut./Lajmi.net/