Trupat paqeruajtëse dështuan në Afrikë

Shumë analistë mendojnë se misioni i OKB’së në vendet afrikane ka dështuar. Kërkohet që të bëhet edhe presion politik për të ndalur konfliktet.

Bota

04/01/2014 17:47

Kombet e Bashkuara kanë zbarkuar në Afrikë një numër rekord të paqeruajtësve në vitet e fundit, duke dërguar kështu ushtarë në vende problematike siç është në Republikën Qendrore Afrikane dhe në Sudanin Jugor.

Por, akoma “helmetat blu” dhe qindra ushtarë të tjerë të dërguar nga grupet regjionale afrikane kanë dështuar që të ndalin shpërthimet e dhunës.

Forcat paqeruajtëse kanë kushtuar miliarda dollarë, e shumica e këtyre shpenzimeve është paguar nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe nga Kombet e Bashkuara. Por, ata kanë qenë të penguar nga mandatet e tyre dhe të dobëta nga rezervat e armëve dhe pajisjet e tyre. Disa kritikë gjithashtu thonë se zyrtarët e Washington’it dhe të aleatëve të saj në OKB kanë faj për dështimin e paqeruajtësve, duke mos ia bashkuar luftës së tyre edhe me presion politik për t’i parandaluar krizat.

“Elementet diplomatike dhe politike për përgjigjen ndërkombëtare për shumicën e konflikteve afrikane kanë qenë të ngadalta dhe joefektive”, thotë John Prendergas, nja aktivist i të drejtave të njeriut, të projektit “Enough Project” nga Sudani Jugor.

Ai tha se “ata kanë vënë më shumë presion në misionet paqeruajtëse për të përmbushur objektivat e tyre, për të cilat ata janë totalisht të papërgatitur”.

Të premten ka filluar raundi i parë i bisedimeve të paqes në mes të Sudanit Jugor dhe Etiopisë, por që konflikti nuk tregon asnjë shenjë të zvogëlimit të saj. SHBA ka tërhequr shumicën e stafit të saj në Ambasadën në Sudanin Jugor.

Në ndërkohë, forcat rebele, të cilat së fundmi kanë marrë edhe një pikë strategjike në qytetin e Bor’it, kanë ngecur së bashku me trupat qeveritare, duke rritur kështu rrezikun që një betejë e ardhshme mund të fillojë së shpejti.

Deri më tani, më shumë se 200 mijë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, si pasojë e konflikteve.

Frustrimi kundër paqeruajtësve tashmë është përhapur.

Ibrahim Muhammed (30), i cili ka ikur para një viti nga regjioni shumë i dhunshëm i Darfurit dhe ka shkuar për të kërkuar një jetë më të mirë në Sudanin Jugor, sot jeton në kushte të mjerueshme brenda bazës së paqeruajtësve të OKB’së, në qytetin e Malakalës, ku jeton në një tendë të bërë nga batanijet.

“Paqeruajtësit e OKB’së nuk kanë qenë në gjendje që të ndalin dhunën në Darfur, për këtë arsye unë erdha këtu. Por, sot në Sudanin Jugor situata është e ngjashme si në Darfur. Lufta zhvillohet në mes të fiseve. Paqeruajtësit nuk do të jenë në gjendje që të ndalin sulmet”, thotë Muhammedi.

Në fund të muajit nëntor më shumë se 70 për qind prej gjithsej 98,727 trupave paqeruajtëse të OKB’së janë vendosur në Afrikë, sipas J.Peter Pham, Drejtor i Këshillit të Atlantikut në Afrikën Qendrore.

Forcat e OKB’së kanë qenë të limituara në mandat, duke ju lejuar atyre që të luftojnë vetëm në vetëmbrojtje. Për më shumë se 2 vjet pasi që kishin zbarkuar në Sudanin Jugor, paqeruajtësit e OKB’së ishin autorizuar që të kenë me vete 7 mijë e 500 zyrtarë policorë. Në janar të vitit 2012, misioni i OKB’së ishte kritikuar nga vendasit por dhe liderët lokalë, duke thënë se ata po bëjnë pak për të ndalur këtë valë të madhe të vrasjeve fisnore në shtetin e Jonglei, ku në po njëjtën zonë është tashmë zonë lufte.

Disa njerëz mendojnë se që prej kur kanë zbarkuar trupat paqeruajtëse, në Sudanin Jugor ka pasur më shumë kaos dhe vdekje, po ashtu edhe në Republikën Qendrore të Afrikës, si dhe në shtete të tjera që janë të varfra dhe kanë një qeverisje të keqe, ku mbizotëron korrupsioni dhe dhuna është e përhapur.

Tony Lanzer, zyrtar i OKB’së në Sudanin Jugor mendon se trupat paqeruajtëse kanë bërë atë që kanë mundur për ndalur konfliktet. Por, ai thotë se trupat kanë ndihmuar që Sudani të jetë në një gjendje relativisht stabile, por që mbizotërojnë sulmet e dhunshme, të cilat janë të pranishme në 10 shtetet afrikane. Ai thotë se misioni i OKB’së ka si qëllim primar që të mbrojë popullsinë civile dhe se dhjetëra mijëra civilë janë detyruar që të dalin si refugjatë dhe të strehohen nëpër bazat e paqeruajtësve.

“Ne kemi dalë në terren dhe kemi bërë gjithçka që kemi mundur”, thotë ai.

Trupat paqeruajtëse afrikane nuk janë nën tutelën e OKB’së dhe për këtë arsye ato kanë armatim më të dobët dhe nuk kanë trajnimet e duhura. Por, përkundër kësaj, këto trupa shpesh thirren të parat për të ndalur krizat në rajon dhe në kontinentin afrikan.

Përkundër numrit kaq të madh të paqeruajtësve të dërguar, arsyeja kryesore e vazhdimit të konfliktit në Sudanin Jugor është refuzimi i SHBA’së dhe forcave afrikane dhe europiane për të luajtur një rol themelor që do të krijonte njohje të reja politike të këtij shteti të ri, thonë analistët.

Për më shumë se një vit, ka pasur një çarje akoma më të madhe brenda partisë në pushtet, ku Presidenti aktual Salva Kiir është në një marrëdhënie të tensionuar me ish-ZëvendësPresidentin e tij Ricky Machar.

Tashmë të dy këta, janë duke e kërcënuar që vendi të shkojë drejt një dhune që mund të jetë tragjike.

Analistët mendojnë se vetëm me dërgimin e trupave paqeruajtëse në këtë regjion nuk mund të ndalet dhuna. Ata kërkojnë që të bëhet presion më i madh politik.