Trumpi ka mundësi të përfundojë sundimin me terror të Khameneit në Iran
Nga: Douglas Murray / New York Post Për 46 vjet me radhë, Qeveria Islamike Revolucionare ka torturuar popullin e Iranit. Që nga momenti kur Ajatollah Khomeini u kthye nga ekzili në Paris, ai arriti të hedh njërën nga kulturat më të mëdha të botës në një epokë të re të errësirës. Që nga viti 1979,…
Opinion
Nga: Douglas Murray / New York Post
Për 46 vjet me radhë, Qeveria Islamike Revolucionare ka torturuar popullin e Iranit. Që nga momenti kur Ajatollah Khomeini u kthye nga ekzili në Paris, ai arriti të hedh njërën nga kulturat më të mëdha të botës në një epokë të re të errësirës.
Që nga viti 1979, ky regjim ka masakruar dhe ekzekutuar kundërshtarët e vet të brendshëm politikë. Ka varur publikisht njerëzit e dënuar për “krime kundër moralit”, përfshirë edhe ata të dënuar për “krimin” e të qenit homoseksual. Ka sponsorizuar terrorizmin në të gjithë Lindjen e Mesme, në Evropë dhe në Amerikë.
Ky regjim ka qenë fuqia më e madhe kolonialiste dhe imperialiste në Lindjen e Mesme. Dhe, ka tentuar të vrasë një president amerikan, një sekretar Shteti amerikan dhe një këshilltar për siguri kombëtare të ShBA-së – ndër të tjerë – në tokën amerikane.
Duke i pasur parasysh këto, mund të mendohej se do të kishte marshime kundër ajatollahëve, për disa javë në qytetet perëndimore. Por, nuk ndodhi kështu. Kur njerëzit iranianë u ngritën më parë (si në Revolucionin e Gjelbër të vitit 2009), e bënë këtë të vetëm. Atëherë, presidenti Obama nuk bëri asgjë për të mbështetur lëvizjen pro-demokracisë në Iran. Ai thjesht u zmbraps dhe lejoi që gratë protestuese të qëlloheshin në kokë nga milicia e ndyrë Basixh dhe forcat e tjera qeveritare.
Dekada dobësie
Çfarë është ndryshe këtë herë?
Dy gjëra. Së pari është shkalla e protestave kundër regjimit brenda Iranit. Gjatë ditëve të fundit, qeveria iraniane ka ndërprerë internetin në përpjekje për të ndaluar popullin nga koordinimi. Por, populli trim iranian po del në rrugë me qindra-mijëra. Ata kanë rrëzuar simbolet e regjimit dhe kanë sulmuar ndërtesat e tij. Kjo tashmë është më e madhe se çdo kryengritje e mëparshme.
Gjëja e dytë që është ndryshe këtë herë është se Donald Trumpi është në Shtëpinë e Bardhë.
Në vitin 1979, kur ndodhi Revolucioni Iranian, një lloj tjetër presidenti ndodhej në Zyrën Ovale. Jimmy Carter jo vetëm që lejoi që revolucioni të ndodhte, por në mënyrë poshtëruese dështoi të lirojë 66 amerikanët që u morën peng nga forcat që kishin përmbysur Shahun.
Ishte kohë e një dobësie të tmerrshme në politikën e jashtme amerikane. Ajatollahët e dinin këtë – dhe e shfrytëzuan. Po ashtu, ata e dinin se Obama nuk do të bënte asgjë në vitin 2009, për të mbështetur protestuesit pro-perëndimorë, pro-amerikanë që dolën në rrugët e Iranit.
Mbase ishte e pashmangshme që udhëheqja amerikane të ishte kaq e dobët. Mbi të gjitha, që nga nisja e Revolucionit Iranian më 1979, ngjarja u keqkuptua në një pjesë të madhe të Perëndimit.
Për shembull, intelektuali i njohur i së majtës, Michel Foucault – ende një nga “idiotët” më të cituar në akademinë amerikane – pretendonte se Khomeini do të sillte një revolucion shpirtëror në Iran që do t’i eliminonte ato “mëkate” të tmerrshme perëndimore – si kapitalizmi dhe materializmi.
New York Times botoi një artikull që thoshte se përshkrimi i Ajatollah Khomeinit “si fanatik dhe bartës i paragjykimeve të ashpra, sigurisht dhe fatmirësisht duket i pavërtetë”. Ndërsa revista Foreign Affairs shkroi se “Republika Islamike e Khomeinit pritet të ketë një doktrinë të drejtësisë sociale në qendër të saj; sipas të gjithë treguesve, ai do të jetë fleksibil në interpretimin e Kuranit”.
Të gjitha këto opinione dhe shumë të tjera ranë poshtë. Khomeini dhe pasardhësi i tij, Ajatollah Khamenei, ishin dhe janë fanatikë. Ata masakruan në burgjet iraniane me qindra kundërshtarë të tyre të majtë dhe sindikalistë. Ata detyruan një shoqëri liberale të bëhej një vend ku të gjitha gratë do të duhej të mbulonin kokën. “Policia e moralit” e tyre patrullonte vendin duke kërkuar gratë të mund t’i arrestonin dhe rrihnin. Ata rrëmbyen, përdhunuan, torturuan dhe vranë studentët që i kundërshtonin. Dhe, Perëndimi, gjatë gjithë kohës, nuk bëri asgjë.
Opsionet e Trumpit
Natyrisht, pyetja prej shumë vitesh ishte “çfarë mund të bëjmë”?
Njëra përgjigje – e dhënë nga liderë të dobët në ShBA dhe Evropë – ishte të përpiqeshim ta pranonin Revolucionin Iranian. Por, regjimi në Iran nuk donte të ishte pjesë e të njëjtës botë si ne. Ata donin të vazhdonin të thërrisnin “Vdekje Amerikës. Ata donin të vazhdonin të premtonin shkatërrimin e Amerikës dhe të pjesën më të madhe të Perëndimit. Donin ta mbanin revolucionin e tyre islamik fundamentalist dhe ta zgjeronin atë në gjithë rajonin dhe më pas në botë.
Tani që populli trim i Iranit është në rrugë, është koha e duhur për t’u treguar atyre se këtë herë nuk janë të vetëm.
Nuk është vetëm në interesin më të mirë të rajonit, por në interesin më të mirë të botës që qeveria më e madhe terroriste në botë të bjerë.
Por, si mund të arrihet kjo?
Presidenti Trump tashmë ka dhënë një paralajmërim të qartë ndaj Ajatollahut. Pamjet që janë kontrabanduar jashtë Iranit ofrojnë dëshmi të mijëra qytetarëve iranianë të cilët regjimi tashmë i ka masakruar. Kërcënimi i regjimit për të nisur ekzekutimet publike të protestuesve solli një reagim të ashpër nga presidenti Trump, i cili paralajmëroi se nëse kjo do të ndodhte, Amerika do të ndërhynte.
Megjithatë, siç kanë treguar disa informacione nga qarqet kundër Trumpit, ekziston një frikë e thellë në Uashington dhe në kryeqytete të tjera që ka origjinën që nga Afganistani dhe Iraku.
Rregulli në atë kohë ishte ai i vjetri i [shitores] “Pottery Barn”: “Nëse e thyen, e jotja është”.
Por, siç mund të shihet nga veprimi i guximshëm i Trumpit në Venezuelë, ai vepron ndryshe.
Politika e tij është se ndonjëherë gjërat janë veçse të thyera dhe ti duhet të bësh ndërhyrje minimale për t’i rregulluar ato. Ose, t’ua lejosh vetë njerëzve të vendit t’i rregullojnë ato.
ShBA-ja mund të ndihmojë aktivistët dhe aleatët brenda Iranit për të goditur qendrat kryesore të regjimit të terrorit. Ne mund të godasim selitë e Gardës Revolucionare Iraniane dhe të milicisë Basixh që po bëjnë luftë kundër popullit iranian.
Amerika gjithashtu mund të ndihmojë njerëzit brenda Iranit që të kenë cak ata që janë përgjegjës për terrorin.
Duke vepruar kështu, mund të tregojmë se njerëzit që duan lirinë në Iran kanë një mik në Shtetet e Bashkuara. Dhe se ata që vrasin popullin e vet dhe përhapin terror në të gjithë botën, nuk do të mbeten të pandëshkuar.
Presidenti Trump ka një mundësi historike. Ai mund të ndihmojë në përfundimin e makthit gjysmë-shekullor të Iranit dhe të kompensojë 46 vjetët me dështime në politikën e jashtme. Duke e bërë këtë, do të dëshmojë se – ndryshe nga paraardhësit e tij – ai është presidenti që qëndroi në krah të lirisë përballë terrorit.