Trump paralajmëron Rusinë kundër ndërhyrjes në zgjedhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në nivelin më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë.

Bota

11/12/2019 11:23

Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov kundër çfarëdo “përpjekjeje për të ndërhyrë” në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara dhe “i ka bërë thirrje Moskës për të zgjidhur konfliktin me Ukrainën”, është thënë në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, pas takimit mes dy zyrtarëve në Uashington.

Trump ka theksuar se mbështet “kontrollin efektiv të armëve në botë”, duke përfshirë jo vetëm Rusinë, por edhe Kinën.

Trump i ka kërkuar Rusisë mbështetje në të ndalurit e Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore, si dhe në sigurimin e denuklearizimit të Koresë Veriore.

Vizita e Lavrovit vjen një ditë pas bisedimeve katërpalëshe në Paris në mes të Rusisë, Francës, Gjermanisë dhe Ukrainës, për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është takuar po ashtu me Lavrovin, të cilët kanë treguar pak shenja të përparimit në marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Megjithatë, Pompeo ka shprehur bindjen se kjo situatë do të ndryshojë.

Të dy kanë diskutuar një varg çështjesh ndërkombëtare, duke përfshirë denuklearizimin e Koresë Veriore, ndryshimin e udhëheqësisë në Venezuelë si dhe ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Marrëdhëniet SHBA-Rusi janë në nivelin më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë, pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014, ndërhyrjes së saj në zgjedhjet amerikane, fushatat e dezinformimit dhe sponsorizimit të vrasjeve në botë.

Rusia mohon ndërhyrjen në çështje të brendshme dhe përfshirjen në vrasje pavarësisht të dhënave që e thonë të kundërtën.

Lavrov ka deklaruar sërish se Rusia nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së dhe ka thënë se shteti i tij është gati të publikojë “kanalin sekret” të komunikimeve në mes të Moskës dhe Uashingtonit nga tetori i vitit 2016 deri në nëntor të vitit 2017, pasi sipas tij, ai do të mbështeste pretendimet e tij.

Pompeo ka kundërshtuar këtë ide, duke thënë se ka mjaft të dhëna që mbështesin përfundimin e Uashingtonit për ndërhyrje.

“Ne do t’i publikojmë të gjitha dokumentet që mendojmë se janë adekuate. Ne mendojmë se kemi shpërndarë mjaft të dhëna për të treguar çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2016 me homologët tanë rusë”, është shprehur ai.

Megjithatë, ai ka thënë se shpreson që të dyja kombet do t’i tejkalojnë problemet.

“Ne duhet të kemi marrëdhënie më të mira, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, në krahasim me ato që kemi pasur vitet e fundit”, ka thënë Pompeo në një konferencë për media pas takimit me Lavrovin.

Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të vazhdojnë bashkëpunimin në luftimin e terrorizimit dhe trafikimit të drogës, pavarësisht tensionimit të marrëdhënieve.

Ata kanë thënë se marrëdhëniet tregtare mes të të dyja shteteve janë rritur lehtë, mirëpo sërish palët kanë shprehur më shumë mosmarrëveshje, sesa unitet.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin duke paraqitur sanksionet e administratës së Trumpit ndaj Venezuelës

Pompeo i ka kërkuar Rusisë që t’i japë fund mbështetjes për liderin e Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve në shtetin e Amerikës Jugore.

Rusia ka përkrahur vazhdimisht qeverinë e Maduros, në kohën e rritjes së protestave në këtë vend, duke përmendur kushtet e rënda ekonomike.

Pompeo po ashtu ka ritheksuar qëndrimin amerikan që Krimea i përket Ukrainës dhe se Rusia duhet të përmbushë obligimet për të arritur paqe në lindje të Ukrainës, ku nga luftimet mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia kanë vdekur më shumë se 13,000 persona nga prilli i vitit 2014.

Pompeo ka shpenzuar “një pjesë të madhe të kohës” duke diskutuar për Ukrainën me Lavrovin, i cili ka marrë pjesë në bisedimet për paqe në mes të Putinit dhe Zelenskiyt në Paris dy ditë më parë.

Lavrov ka krahasuar atmosferën aktuale në Uashington kundrejt Rusisë me atë të viteve 1950, një periudhë e histerisë për ndikimin komunist të Qeverisë amerikane.

Ministri i Jashtëm rus është ankuar se ka qenë e vështirë që të arrihet përparim në kushte të tilla.

Sipas tij, Kremlini është i gatshëm të vazhdojë marrëveshjen “Fillimi ri”, e cila përbën marrëveshjen e fundit bërthamore në mes të të dyja shteteve.

Putin thotë se Rusia dhe SHBA-ja do të rinisin bisedimet për armët bërthamore

Pomepo ka thënë se dëshiron të vazhdojë marrëveshjen e cila skadon në shkurt të vitit 2021, duke përfshirë në të edhe Kinën.

Përveç tjerash, si Pompeo ashtu edhe Lavrov kanë shprehur shqetësim për arrestimet e qytetarëve të tyre në shtetet e njëri-tjetrit, një element tjetër që ka ndikuar në përkeqësim të marrëdhënieve.

Pompeo i ka kërkuar Rusisë të lirojë, Paul Whelan, një amerikan i arrestuar në Moskë në dhjetor të vitit 2018, nën akuzat për spiunim.

Whelan mohon akuzat duke thënë se ai është duke u abuzuar nga rojet në burg.