Trump ndërmerr sanksione të reja kundër Iranit

19:29 | 24 Qershor 2019

Foto: AP

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi një urdhër të ri ekzekutiv për sanksione të reja kundër Iranit.

Vendimi vjen pak ditë pasi Irani rrëzoi një dron amerikan.

“Do të vazhdojmë të rrisim presionin mbi Teheranin”, tha Trump derisa nënshkroi urdhrin në Zyrën Ovale.

“Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore”, tha Trump.

“Ne nuk kërkojmë konflikt”, tha ai dhe shtoi se, varësisht nga përgjigjja e Iranit, sanksionet mund të marrin fund nesër ose mund të vazhdojnë me vite.

Trump tha se sanksionet do të godasin udhëheqësit e Iranit, por nuk dha më shumë detaje.

Ai tha se SHBA-ja ka dashur të ndërmarrë sanksione të reja, pavarësisht incidentit me dron.

Administrata Trump i ka vënë vazhdimisht sanksione Iranit qysh vitin e kaluar, kur Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Republikën Islamike.

Me këtë marrëveshje, të arritur në vitin 2015 midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore, Irani e ka kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Trump ka thënë se kushtet e kësaj marrëveshjeje nuk kanë qenë të ashpra mjaftueshëm sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.

Irani thotë se programi i tij bërthamor ka qëllime civile. /REL