Trump kërcënon Iranin: Po gaboni rëndë!

Presidenti amerikan, Donald Trump ka konsideruar rrëzimin e droni ushtarak amerikan nga Irani si “gabim shumë të madh”, duke rritur kështu shqetësimet se situata mund të përshkallëzohet në mes të këtyre dy vendeve.

Bota

20/06/2019 18:36

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ai ka dënuar rrëzimin e dronit mbikëqyrës të marinës RQ-4A Global Hawk nga një raketë tokë-ajër, derisa ka qenë duke operuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit.

Irani në anën tjetër ka deklaruar se trupat e Gardës Revolucionare kanë qëlluar një dron “spiun” të SHBA-së, pasi ka kaluar në zonën e provincës, Hormozgan.

Përveç kësaj, edhe sulmet e fundit në anije transportuese të naftës në Gjirin Oman dhe Ngushticën e Hormuzit kanë përkeqësuar marrëdhëniet, derisa Uashingtoni dhe shteti tjeter aleat, Arabia Saudite fajësojnë Iranin për këto incidente.

Teherani në anën tjetër mohon çdo keqbërje.

Ministria e Jashtme iraniane ka dënuar, atë që e ka cilësuar si “provokim” në hapësirën ajrore të këtij shteti.

“Në dënojmë ashpër shkelje të tilla të kufijve të Iranit. Ne paralajmërojmë për pasoja ndaj këtyre masave provokative”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Abbas Mousavi.

Në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit “do të ishte katastrofë për rajonin”.