Trump ka një mesazh për Shqipërinë dhe shtetet që e kundërshtuan vendimin e SHBA-së në OKB
Sa mund t'i kushtojnë Shqipërisë vota kundër presidentit amerikan Donald Trump në OKB?
Bota
Një përgjigje është dhënë nga vetë presidenti i SHBA-ve. Trump ka thënë para votimit se Uashingtoni ka mundësi të ndalojë financimet për vendet që votojnë kundër tij dhe mes tyre u pozicionua edhe Shqipëria.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar këtë të enjte në favor të draft rezolutës për të kundërshtuar vendimin e Uashingtonit, me të cilin e njeh Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.
128 vende anëtare kanë votuar pro, mes tyre dhe Shqipëria, 35 kanë abstenuar dhe 9 vende të tjera kanë dalë kundër rezolutës.
Në një deklaratë zyrtare të shpërndarë për mediat, Ministria e Jashtme sqaroi se Shqipëria ka mbajtur të njëjtin pozicion si vendet e BE.
“Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje.
Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër te konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj te linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.