Trump heq dorë nga plani për të mbajtur samitin G7 në pushimoren e tij

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar se ai ka anuluar planet për të mbajtur samitin e ardhshëm G7 në klubin e tij të golfit në Majami.

Bota

20/10/2019 22:36

Ai sugjeroi javën e kaluar që samiti do të mbahej në pushimoren “Trump National Doral”, por hoqi dorë pas kritikave.

Trump denoncoi në Twitter mediat dhe demokratët për kundërshtimin e mbajtjes së samitit në Doral.

“Mendova se po bëja diçka shumë të mirë për vendin tonë duke pritur drejtuesit e G7 në resortin Doral, i cili është i madh, i vendosur pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Majamit, ka salla të jashtëzakonshme dhe secili delegacion do të kishte një ndërtesë me 50 deri në 70 dhoma . Unë thashë që do ta bëja pa fitime ose nëse lejohet ligjërisht, pa asnjë kosto për SHBA. Sidoqoftë, si zakonisht, media armiqësore dhe partnerët e tyre demokratikë janë çmendur,” tha ai.

Trump tha gjithashtu se vendet e tjera, përfshirë Kamp David – rezidenca presidenciale në Maryland – do të konsiderohen për vendin e mbajtjes së samitit.