Trump dhe Biden mbajnë tubime në shtetin kritik të Floridës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe sfiduesi i tij në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, mbajtën tubime në shtetin kritik zgjedhor të Floridës.

Bota

30/10/2020 07:52

“Donald Trump është dorëzuar” përballë pandemisë së koronavirusit, tha Biden.

Biden “do t’ju mbyllë brenda”, tha Trump, duke iu referuar izolimeve kombëtare nga pandemia.

Shtetet e Bashkuara janë duke shënuar aktualisht shifra rekorde të rasteve me koronavirus dhe numri i përgjithshëm i tyre është duke iu afruar 9 milionshit.

Me vetëm pesë ditë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit, Biden prin në sondazhet e opinionit në shkallë kombëtare.

Por, avantazhi i tij duket më pak i sigurt në shtetet e lëkundura, ku dy partitë kanë nivele të ngjashme të mbështetjes në mesin e votuesve.

Një nga to është edhe Florida.

Florida ka po ashtu 29 vota elektorale.

Një kandidati i duhen 270 vota të tilla për të fituar udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë, të cilat nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga fitorja në shtetet veç e veç.

Mbi 81 milionë amerikanë tashmë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale – 52 milionë prej tyre me postë. /REL