Trillime, 6 vjet dhimbje e dënim i përjetshëm: Vazhdojnë dyshimet për historinë e Donjeta Pajazitaj

Pas gati gjashtë vjetësh që Donjeta Pajazitaj u gjet e vrarë, drejtësia dha verdiktin final për dorasin, shkruan lajmi.net.

Lajme

12/06/2021 19:26

Naser Pajazitaj do të kalojë pjesën e mbetur të jetës brenda mureve të burgut, për vrasjen e kushërirës së tij, 24 vjeçare.

Kur askush nuk diti asgjë për fatin e vajzës së re nga Strellci i Deçanit, bjeshkët ishin dëshmitar të përjetimit të Donjetës. Në brendi të tyre kishte ndodhur vrasja e saj, trupi i së cilës kishte qëndruar këtu për 6 javë, që nga zhdukja më 9 nëntor të vitit 2015.

Derisa brenda bjeshkëve numëroheshin minutat e fundit të jetës së saj, 24 vjet Donjeta i kaloi në këtë lagje e këtë shtëpi. Këto mure kishin dëgjuar të qeshura, zëra lumturie e ndonjëherë edhe lot pikëllimi, por sot mbajnë vetëm një kujtim nga ajo. Fotografia e Donjetës,e cila qëndron në krye të dhomës së ndejës së familjes së saj.

Vëllai i saj, Shkëlqim Pajazitaj për lajmi.net ka rrëfyer jetën e Donjetës dhe gjithë historinë e trishtë të saj e rrjedhën deri më sot.

E, në atë ditë që rezultoi të jetë aspak fatmire, Donjeta kishte dalë nga shtëpia për në punë, por pa ditur që ngjarja më e rëndë në jetën e saj aty do të merrte rrugë.

Ngjarjen e asaj dite po del ta kenë kapur edhe kamerat e sigurisë së dy shtëpive të fshatit, të cilat edhe janë përdor si dëshmi nga gjykata.

Por, pavarësisht kësaj, Naser Pajazitaj në deklaratën e tij në polici kishte thënë krejt të kundërtën, por që ishte demantuar edhe nga vajza e tij, e cila ishte shoqja më e mirë e Donjetës.

Madje, ishte thënë se ai atë ditë ishte duke kaluar kohë edhe një mik, por që edhe këtu ishin ndryshuar deklarata.Vëllai i Donjetës, Shkëlqimi kishte tentuar ta zbardhë të vërtetën.

Por, para se Naseri të arrestohej e të ngriteshin dyshimet e para, ai kishte qëndruar shumë pranë, kinse për të lehtësuar përjetimin e  familjes.

Madje, ai kishte arritur që krijonte ngjarje prej më të ndryshmeve, për 6 javë sa askush nuk dinte asgjë për fatin e Donjetës.

Por, derisa askush përveç Naserit nuk dinte asgjë për Donjetën, fjalët e të thënat alarmonin edhe me tej familjen.

Përveç kësaj, edhe kryeplaku i fshatit ishte përfshirë në krijimin e ngjarjeve të paqena. Ai në mënyrë anonime kishte dërguar letra tek familja e Donjetës, kinse ajo kishte mbetur shtatzëne me nipin e Naserit dhe për këtë ai e kishte paguar Naserin ta vras atë, që familja mos ta merrte vesh këtë. Për këtë ai edhe ishte arrestuar.

Por, këtë e kujtoi edhe nëna e Donjetës, Lumnije Pajazitaj, në ditën kur u dha verdikti final për vrasjen e bijës së saj.

Por, të gjitha këto u hodhën poshtë dhe tashmë dihet vrasësi. Por, familje ende ka dyshime, të cilat kërkon që të hetohen. Ata dyshojnë se me Naserin, që kishte vrarë Donjetën, ishte edhe dikush tjetër.

E, derisa këto dyshime të vërtetohen, nëse do të ketë hetim të dytë, familja Pajazitaj është më e qetë që vrasësi i Donjetës vuan dënimin e përjetshëm./Lajmi.net/