Tribunali, në pako me vazhdimin e mandatit të EULEX-it?

Gjykata Speciale do të jetë mekanizëm ndërkombëtar i ngjashëm me prokurorinë që ka hetuar dyshimet e Dick Martyt, e që është Task-Forca Speciale për Hetime.

Lajme

28/03/2014 09:23

Kjo Task-Forcë ka qenë “pro forma” nën ombrellën e EULEX-it, por ka pasur selinë në Bruksel.

Ngjashëm do të veprohet edhe me Gjykatën Speciale.

“Gjykata Speciale është vazhdim i punës së Task-Forcës, domethënë një prokurorie që ka ekzistuar po i krijohet gjykata” , i ka thënë Tribunës një burim i afërt me ekipin që po e përgatit krijimin e gjykatës.

“Ekipi që po merret me përgatitjen e gjykatës që do t’i trajtojë hetimet që janë bërë për raportin e Dick Martyt, po zhvillon gjatë kësaj jave edhe disa takime në kryeqytet evropiane”, shkruan gazeta Tribuna.

“Kanë mbetur të qartësohen edhe disa detaje të funksionimit të gjykatës speciale, por tashmë ekziston pajtimi për çështjet madhore”.

Menjëherë pas këtyre diskutimeve në kryeqytetet evropiane, autoritetet evropiane do të kërkojnë nga institucionet e Kosovës që ta votojnë krijimin e gjykatës në një votim që do të shkonte në pako me vazhdimin e mandatit të EULEX-it.