Tri zona industriale për Rahovecin

Isa Mustafa deklaroi sot në Rahovec se LDK pret që në Rahovec të bëhen ndryshime dhe kjo komunë të fillojë të qeveriset në mënyrë demokratike nga një lider i cili ka profesionalizëm dhe i cili reflekton gatishmëri për zhvillim ekonomik.

Lajme

31/10/2013 16:53

Lidhjes Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit në qytetin e Rahovecit, e bindur se kandidati i saj, Fahredin Shehu do të jetë kryetar i ardhshëm i kësaj komune.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, tha para mbështetësve të tij se LDK’ja pret që në Rahovec të bëhen ndryshime dhe kjo komunë të fillojë të qeveriset në mënyrë demokratike nga një lider i cili ka profesionalizëm dhe i cili reflekton gatishmëri për zhvillim ekonomik.

“Uroj që bashkërisht të punojmë për të ardhmen e Rahovecit, të punojmë që t’i fitojmë zgjedhjet këtu në Rahovec dhe në shumicën e komunave në Kosovë, dhe në të ardhmen t’i edhe fitojmë edhe zgjedhjet nacionale, në mënyrë që ta themelojmë një qeverisje të drejtë, e cila përkujdeset për çdo komunë dhe për çdo qytetar”.

“Fahredin Shehu e meriton votën e rahovecianëve, sepse ai përfaqëson vlerat e kulturës evropiane”.

“Ju keni një njeri që e përfaqëson edhe kulturë evropiane edhe kulturën e Rahovecit, dhe ky gërshetim i kulturave është ajo që i nevojitet këtij vendi”.

“Ju keni alternativën më të mirë të votimit, dhe ju ftoj që ta votoni Fahredin Shehun dhe këshilltarët e LDK’së për Asamble Komunale, sepse janë më të mirët dhe dinë më së miri t’i mbrojnë interesat tuaja”.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Rahovecit, Fahredin Shehu, tha se më 3 nëntor Rahoveci do t’i thotë jo mashtrimit, korrupsionit dhe shantazhit.

“Ne do të punojmë për një Rahovec të pasur dhe jo që merr ndihma humanitare. E duam një Rahovec me shkolla dhe çerdhe fëmijësh, e jo me bastore e çerdhe krimi. E duam një Rahovec me ujë të pijshëm dhe jo me gropa e mungesë të kanalizimit”.

“Ne do të punojmë që Rahoveci të ketë tri zona industriale, me trafik urban, me shkolla të reja dhe me qendra të aftësimit profesional”.