Tri vende pune, tri banesa, 54 mijë euro pagë vjetore – Kjo është pasuria e Avdullah Hotit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se bashkë me bashkëshorten e tij marrin rrafsh 54 mijë e 610 euro për një vit. Apo 4 mijë e 542 euro në muaj. Hoti ka deklaruar tri vende pune: një si deputet, tjetrën si profesor në UP, tjetrën si profesor në një kolegj privat.

Lajme

15/06/2019 14:21

Ka deklaruar se kolegji privat ia ka dhënë 8100 euro parapagim.

Një kolegj privat në Kosovë e ka parapaguar Avdullah Hotin për të dhënë mësim. Ia ka dhënë 8 mijë e 100 euro para të gatshme.

Por, Avdullah Hoti, në total merr gati shtatë herë më shumë euro në vit krahasuar me paratë që ia ka parapaguar kolegji privat.

Shefi i deputetëve të LDK’së se nga Kuvendi i Kosovës merr 25 mijë e 632 euro; nga Kolegji Dardania 8 mijë e 100 euro në vit; nga qiraja e banesës 1 mijë e 365 euro; nga mëditjet e Kuvendit të Kosovës 1 mijë e 325 euro; pagë nga UP’ja në vlerë prej 11 mijë e 183 euro; dhe mëditje nga Akademia e Shkencave në vlerë prej 95 eurosh.

Për gruan që i punon në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Hoti ka deklaruar se i merr 6 mijë e 910 euro.

Në total për një vit merr 54 mijë e 610 euro. Apo mesatarisht në muaj, Hoti merr nga 4 mijë e 550 euro.

Nëpër banka ka deklaruar se i ruan 2 mijë e 648 euro.

Prej vitit 2010 deri tash, ish-Nënkryetari i Komunës së Prishtinë ka blerë tri banesa.

Një në vitin 2010 në vlerë prej 68 mijë eurosh; një tjetër në vitin 2015 në vlerë prej 60 mijë eurosh; një tjetër vitin e kaluar në vlerë prej 105 mijë eurosh.

Total vlera e tri banesave të tij është 233 mijë euro.

Ka deklaruar se ka një kredi, të cilën e paguan në dhjetor të vitit 2020 në vlerë prej 27 mijë eurosh.