Tri raste të dyshuara me koronavirus në QKUK, priten rezultatet

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës gjatë vikendit janë pranuar tri raste të reja të dyshuara se janë prekur me koronavirus.

Lajme

02/03/2020 13:24

Mostrat e pacienteve të dyshuar se janë prekur me koronavirus, janë marrë dhe pritet që Institutit Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të dalë me rezultatet.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës.

“Gjatë vikendit janë pranuar tri raste të dyshuara, janë marrë mostrat dhe pritet që Institutit Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të dalë me rezultatet”, u tha në përgjigjen e QKUK-së dhënë për lajmi.net.

Ndërkohe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik nga data 08.02 deri me 01.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 33 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Nga data 01.02.2020 deri me 01.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1.223 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 322 udhëtarë, Vërmicë 367, Merdare 461, Hani i Elezit 22, Dheu i bardhë 37, Kullë 7 dhe Qafë Morinë 7 udhëtarë.

Me datë 01.03.2020, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipet mjekësore të Aeroportit bashkë me QKMF- Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës të mbështetur nga ekipi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur sonte nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC dhe te asnjeri nuk janë gjetur shenja klinike ë sëmundjes. /Lajmi.net/