Tri marrëveshjet e nënshkruara sot në Beograd

Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Shqipëri ka dhënë detaje mbi marrëveshjet e nënshkruara sot në Serbi, nga ministri Arben Ahmetaj dhe homologu i tij serb Dušan Vujovic.

Lajme

10/11/2014 19:51

Në njoftim për shtyp thuhet se ministri i Zhvillimit Ekonomik Ahmetaj, në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe ministri i Financave të Republikës së Serbisë Dušan Vujovic, nënshkruan marrëveshjen “Për ndihmën e ndërsjellë për parandalimin, hetimin dhe dënimin e shkeljeve doganore”.

Marrëveshja doganore

Sipas qëllimit të kësaj marrëveshje, palët Kontraktuese, nëpërmjet Autoriteteve të tyre Doganore dhe në përputhje me dispozitat e përcaktuara në këtë Marrëveshje, do t’i mundësojnë njëra-tjetrës ndihmë të ndërsjellë, me qëllim që:të sigurojnë se legjislacioni doganor është zbatuar në mënyrë korrekte; dhetë parandalojnë, hetojnë dhe luftojnë shkeljet e legjislacionit doganor.E gjithë ndihma në kuadrin e Marrëveshjes në fjalë nga secila Palë Kontraktuese do të jepet në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe brenda kompetencave dhe mundësive të Autoritetit të vetë Doganor.Kjo Marrëveshje synon vetëm ndihmën e ndërsjellë administrative ndërmjet Palëve Kontraktuese; dispozitat e kësaj Marrëveshjeje nuk i japin të drejtë asnjë personi privat që të marrë, pengojë ose përjashtojë asnjë provë ose të pengojë ekzekutimin e ndonjë kërkese.

Lëvizja e lirë e qytetarëve

Gjithashtu u nënshkruan edhe dy marrëveshje të tjera; për lëvizjen e qytetarëve drejt të dy vendeve vetëm me kartat e identitetit, dhe një marrëveshje për bashkëpunimin e grupeve rinore mes Shqipërisë dhe Serbvisë, në nivel universitetesh apo dhe më gjerë. Sipas zyrës së shtypit të Ministrisë së Ekonomisë në Tiranë, në të njëjtën kohë, bizneset shqiptare, rreth 15 në numër që ishin pjesë e delegacionit, morën pjesë në forumin e biznesit organizuar nga Dhoma e Tregtisë e Serbisë. Forumi pati një pjesëmarje të gjerë dhe u diskutuan çështje të rëndësishme në fushën e energjisë, tregtisë, ndërtimit, turizmit, bujqësisë, manifakturës, agroindustri, produktet farmaceutike etj.

Forumi ekonomik

“Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë mes dy vendeve, e cila ka ardhur në rritje. Bizneset e të dy vendeve vlerësuan pozicionin e përshtatshëm gjeografik të Shqipërisë për daljen në det dhe si një urë e rëndësishme lidhëse me tregun europian dhe Serbia si një urë lidhëse me hapësirat ekonomike e tregtare të Europës lindore e më gjerë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ftuan bizneset serbe të vijnë në Shqipëri vitin e ardhshëm për forumin e biznesit që do të organizohet nga pala jonë,” bën të ditur Ministria e Ekonomisë në Tiranë. Vizita e delegacionit zyrtar do të vijojë edhe gjatë pasdites, me takimin në Bashkinë e Beogradit ndërsa ditën e martë me vizitën në Luginën e Preshevës, transmeton Kosovapress.