Trepça zgjidhet vetëm me marrëveshje politike

Kontesti midis Serbisë e Kosovës rreth së drejtës së pronësisë të kombinatit Trepça me siguri do të zgjidhet përmes kompensimit, citon e përditshmja serbe “Danas” burime nga Qeveria e Serbisë.

Lajme

21/01/2015 23:22

Sipas gazetës “Danas”, kjo do të thotë se Kosova do t’ia kompensojë Serbisë me para ose në ndonjë mënyrë tjetër humbjen që do ta pësojë me kalimin e Trepçës në pronësi të Kosovës.

Kjo, sipas burimeve të kësaj gazete, do të ishte e pranueshme për pushtetin e Serbisë.

Pyetjes së gazetës nëse ekziston mundësia e zgjidhjes me rrugë gjyqësore, siç po dëgjohet në opinion, ose marrëveshja politike është i vetmi opsion, ajo citon bashkëbiseduesit anonimë qeveritarë nga Beogradi t’i kenë thënë se zgjidhja do të jetë rezultat ekskluzivisht i marrëveshjes politike.

Gazeta shkruan se me gjithë spekulimet në opinion se çështja e pronësisë mbi Trepçën do të jetë temë e dialogut midis delegacioneve të Kosovës e të Serbisë, përkatësisht kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiq dhe Federica Mogherini, shefe e diplomacisë së BE-së, kjo nuk do të ndodhë më 9 shkurt në Bruksel.

Bashkëbisedues nga kreu i pushtetit, i kanë thënë kësaj gazete beogradase se takimi i dy kryeministrave në Bruksel do të jetë më shumë takim njohës, eventualisht përcaktim i dinamikës së bisedimeve.

Vuçiq ka deklaruar se Serbia është e gatshme për dialog rreth Trepçës dhe se në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës do të bisedohet për këtë, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i diplomacisë së saj, Hashim Thaçi ka thënë se për këtë nuk do të bisedohet me Beogradin, meqë Trepça është pronë e Kosovës, transmeton koha.net.